Komorani po bëhet me nënstacion të policisë, ky është objekti i gatshëm (Video)

DrenicaOnline ju sjell pamjet nga objekti ku do të vendoset nënstacioni i policisë në Komoran.

Vendimi është marrë në një nga mbledhjet e fundit të kuvendit komunal të Drenasit ndërsa mbetet vetëm vendosja e policëve.

Në këtë objekt po shqyrtohet mundësia të vendoset edhe njësia për kontrollimin e autostradës.

Komuna e Drenasit ka marrë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të sigurisë publike me miratimin e vendimit për nënstacionin policor në zonën kadastrale të Komoranit. Ky vendim është miratuar nga Kuvendi i Komunës së Drenasit në mbledhjen e mbajtur më 29 prill 2024 dhe është konfirmuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Drenasit, i cili u miratua me 14 vota për, 1 kundër dhe 3 abstenime, parashikon dhënien në shfrytëzim afatgjatë për 25 vite të pronës komunale të Komunës së Drenasit, Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës, për ndërtimin e nënstacionit policor. Kjo iniciativë synon të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet policore dhe të rrisë nivelin e sigurisë në zonën e Komoranit dhe përreth.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, pas shqyrtimit të përmbajtjes së vendimit, konstatoi se vendimi i Kuvendit të Komunës së Drenasit është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe procedurale në fuqi. Në përputhje me Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 10/2019 dhe ndryshimet e saj, si dhe me Ligjin Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, vendimi është cilësuar i ligjshëm dhe proceduralisht korrekt.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndër të tjerash theksoj se nënstacioni policor në Komoran është një hap strategjik drejt përmirësimit të sigurisë dhe shërbimeve publike për qytetarët e zonës.

Qytetarët e Komoranit dhe fshatrave përreth janë entuziastë për këtë zhvillim dhe presin që nënstacioni i ri policor të sjellë një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre përmes rritjes së sigurisë dhe shërbimeve më të shpejta dhe efektive nga Policia e Kosovës./DrenicaOnline/

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë