Ky është tifozi i arrestuar në Drenas në ndeshjen FC Ballkani-FC Prishtina, dyshohet se goditi policin e Njësisë Speciale (Video)

Jo rrallëherë jemi mësuar të shohim veprime të dhunshme dhe huligane të grupeve të tifozëve nëpër stadiumet e Kosovës. Përveç përleshjeve mes grupeve, sulmeve në drejtim të lojtarëve, ka raste kur  sulmohen edhe zyrtarët policorë që intervenojnë në incidente të tilla.

Kështu ndodhi edhe dje në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës mes FC Ballkanit dhe FC Prishtinës,  raporton Gazeta Sinjali.

Një zyrtar i Njësisë Speciale është sulmuar nga një tifoz, teksa po intervenonin për ta vënë nën kontroll situatën kur u godit portieri i FC Ballkanit.

Sinjali mëson se personi që ka goditur me grusht policin e NJSO-së është Genc Çitaku, rreth 30-vjeçar.

Sulmi dyshohet se ka ndodhur kur i dyshuari dhe grupi i tij i është vërsulur Policisë.

I dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ndërsa polici që u sulmua ka marrë trajtim mjekësor.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

VIDEO

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë