Policia e gjen 36-vjeçaren nga Skenderaj që u raportua e zhdukur, thotë se është martuar
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Kështu ndodhi edhe së fundmi në Skenderaj, ku u raportua e zhdukur një 36-vjeçare, e cila tashmë është gjetur.
Sinjali ka mësuar se e njëjta është gjetur në Komunën e Vitisë, ku sipas informacioneve të para ka nisur të bashkëjetojë me një person.
Pasi 36-vjeçarja u intervistua nga hetuesit policorë, ndër të tjera ka deklaruar se është martuar me dëshirën e saj dhe nuk është abuzuar nga askush.
Për detajet e rastit është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Ndryshe, rasti është raportuar nga motra e 36-vjeçares, e cila ka kërkuar ndihmë në Polici, pasi familja s’kishte informacione për vendndodhjen e saj.