Homazh për Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën dhe të gjithë heronjtë e Luftës së Drenicës
Dr. Lulzim Nika
Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së Drenicës, të prirë nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte dhe këtyre dy heronjve.
Një dokument që kam marrë nga arkivi i presidentit H.Truman (Declassified: E.O.11632, Sec 3(E) and 3 (D) or (E) ; Dept.of State letter, Aug. 10, 197), tregonte për rezistencën e shqiptarëve te Kosovës ndaj forcave partizane jugosllave, po ashtu tregonte për mosinteresimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe krerëve të saj që Kosova të jetë pjesë e shtetit shqiptar, siç ishte gjatë viteve të pushtimit nga Italia fashiste.
Në asnjë takim, përfaqësuesit e komunistëve nga Shqipëria, nuk e kishin ngritur çështjen e Kosovës. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit jugosllav, pra kjo rezistencë që më e fuqishme ishte në pjesën qendrore të Kosovës, në Drenicë, mbetën të izoluara dhe pa përkrahjen e Shqipërisë.
Drenica ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin dhe ruajtjen e frymës për lirinë e Kosovës.
Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, këta dy tribunë popullorë që udhëhoqën kryengritjen kundër sllavo-komunistëve, u bënë referencë historike për nacionalizmën shqiptare.
Lufta, trimëria, krenaria dhe lavdia e tyre ishte frymëzim i fuqishëm i luftëtarëve të mëvonshëm, që mbante lart moralin e luftës për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës!