Sulmohet me thikë mjeku kujdestar në QKMF, Policia arreston 40-vjeçaren

Punëtorët shëndetësorë jo rrallëherë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve nga pacientët e familjarët e tyre të cilët shpeshherë i kanë akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Raste të tilla janë raportuar jo vetëm në spitale private, por edhe në ato publike. Veprimet të tilla përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime ku një mjek ka raportuar se derisa ishte duke punuar është sulmuar nga një grua 40-vjeçare.

Siç njofton Policia, 40-vjeçarja kishte sulmuar me thikë mjekun kujdestar të QKMF-së në Shtime.

Rasti dyshohet se ka ndodhur rreth orës 13:00, periudhë kjo kur mjeku që ishte kujdestar u përballë me sulm me thikë për çka e kërkoi ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.

Si rezultat i denoncimit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e saj rreth asaj se çka ka ndodhur në QKMF.

Me t’u përfunduar të gjitha procedurat, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 40-vjeçarja të dërgohet në mbajtje për 48 orë ndërsa rasti është inicuar si “Kanosje”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Stacioni policor në Shtime, sot rreth orës rreth orës 13:00 ka pranuar një informacion nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Shtime se është një rast i kanosjes. Në lidhje me këtë, policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarën B.B (F/K) e moshës 47 vjeçare, e cila me një mjet të mprehtë (thikë) kishte kanosur një mjek të kësaj qëndre.

Policia të dyshuarën më pas e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Kanosje”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë