“Sa s’na ka marrë uji” – emri i çuditshëm i kontratës që s’dihet për çka është dedikuar

Një kontratë e nënshkruar dje nga Zyra e Prokurimit të Komunës së Ferizajt ka dy gjëra interesante.
Kur thuhet kështu: nuk ka të bëjë me çmimin e lartë të saj, apo ndonjë specifikë tjetër.
Atë “interesante” dhe të “veçantë” e bën titulli i këtij prokurimi publik që është “qesharak”.
“Sa s’na ka marrë uji” titullohet kontrata e autoritetet kontraktues, këtë rast Komunës së Ferizajt të udhëhequr nga Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu shkrun në dokumentin publik të publikuar sot në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Në pjesën ku përshkruhet lënda e kontratës thuhet se titulli “sa s’na ka marr uji” është dhënë nga autoriteti kontraktues.
Informata tjetër interesante është se tenderi sipas informative publike në KRPP ka të bëjë me “aktivitetet e ndryshme për diasporën dhe regjistrimin e bizneseve të diapsorës për Komunën e Ferizajt”.
Ndërkaq, titulli i kontratës me punimet që do të kryhen nuk përkojnë më njëra-tjetrën dhe ende nuk dihet ku do të shkojnë saktësisht 2 mijë eurot e ndara për këtë projekt, shkruan Gazeta Sinjali.
Kush e ka fituar kontratën?
Këtë tender e ka fituar kompania “Dini – T” SHPK, me bazë në komunën e Kaçanikut.
Kontrata nga ky biznes dhe Zyra e Prokurimit të Komunë së Ferizajt është nënshkruar më 11 tetor, ndërsa e njejta është publikuar sot në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar sot me ndërrmarrjen kaçanikase lidhur me këtë tender. Përfaqësuesi i saj ka thënë se ende nuk e dinë lokacionin ku do t’i kryjnë punimet.
“Ne çmimin e kemi vendos në bazë të parametrave që i kemi pas në kontratë. Më duket se një plloq do ta qesim – por ende s’e dimë lokacionin, pasi nuk është caktuar menagjeri i kontratës”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.
“Emrin e kontratës e ka vendos komuna, ne nuk e dimë arsyen”.
Ndryshe, publikimi i njoftimit për kontratë ishte bërë me 28 gusht 2023, derisa tenderët ishin hapur me 1 shtator, ndërkohë publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës është dhënë me 10 tetor 2023.
Për tenderin që peshon saktësisht 1 mijë e 958 euro e 27 cent kanë konkurruar dy kompani, dhe atë e ka fituar “Dini – T” SHPK.
B52-Njoftimi-per-nenshkrimin-e-kontrates-5
Shkarkoje