“O plak do ia shohim sherrin”/ Historia e të moshuarit që mbolli hashash për operacionin që i kushtonte 11 mijë euro

E provuan kultivimin e kanabisit si një biletë që do t’i shpëtonte nga varfëria. Por çifti i të moshuarve nga Fushë- Thumana jo vetëm që nuk i pakësuan vështirësitë, por sapo kanë hapur një kapitull të ri problemesh akoma më të rënda se të parat.
Me bashkëshortin në burg, një 74-vjeçar që akuzohet për kultivim droge, Begeja i zëvendësoi gropat e hashashit të asgjësuar nga policia me perimet e stinës.
Çifti i të moshuarve vendosi të mbjellë drogë, ditën kur kryefamiljari Vesel Xhaferri pas disa operacioneve, duhet të përballej me një tjetër ndërhyrje shëndetësore të komplikuar, për të cilin nuk kishte të ardhura.
Kishin dëgjuar që me hashash fiton dhe vunë bast me jetën e tyre se mund të ishin mes fitimtarëve.
“Shkoi në spital me u bë operim, nuk e bënë se nuk i mbante zemra më. Është operuar tre herë. E katërta kjo që desh të bëhej në Itali dhe i kërkuan 11 mijë euro. Ne s’kemi as 11 mijë lekë jo 11 mijë euro. Se ku i gjeti do bërthama dhe i mbolli. Tek kjo bahçja e mbolli. Mbolli 85 mijë rrënjë tre mujorshe dhe unë për Zotin nuk e kam ndihmuar, ndonjëherë me e mbulu se për të zbuluar e zbulonte vetë. Më tha ‘jam tu e mbjell’. I thashë “o plak do ja shohim sherrin”. Erdhi polcia na e shkulën”, thotë 71 vjeçarja për TCH.
Me burrin në qeli dhe të birin në kërkim, sepse nuk raportoi në polici që i ati kishte mbjellë bimën narkotike, e moshuara bazohet vetëm te ligji i saj, që thotë se është besimi në Zot.
Në pritje për t’u gjykuar, 74-vjeçari mbahet në burgun e Fushë-Krujës, ashtu si shumë të moshuar të tjerë në burgje.