Tragjike: Një i vdekur nga zjarri që përfshiu Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK
Një pacient ka mbetur i vdekur nga zjarri në shërbimin emergjent të Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, ndërsa tre punëtorë shëndetësorë janë asfiksuar por fatmirësisht janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Pacienti me sëmundje psikiatrike ishte i hospitalizuar në klinikë, por kishte dalë nga aty në orët e vona të së mërkurës, ndërsa më vonë ishte sjellë nga Policia e Kosovës në emergjencën e Klinikës së Psikiatrisë.
Pacienti ishte vendosur në një dhomë të izoluar në këtë shërbim dhe rreth një orë më vonë ka rënë zjarr në atë dhomë, duke u djegur dysheku i shtratit, ku për pasojë i njëjti ka ndërruar jetë, raporton Gazeta Shneta.
Ende nuk dihet se si është shkaktuar zjarri.
Vdekjen e pacientit e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Dr. Faton Kutllovci, i cili ka thënë se pacienti ishte trajtuar edhe më parë në klinikë.
Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet e Policisë së Kosovës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.