Tre anëtarë të familjes Sylejmani në pranga, zbulohet kush janë të dyshuarit për sulmin brutal

Sinjali raportoi dje për një incident që ka ndodhur të hënën në rrugën ‘Agim Qela’ në Pejë, ku janë përfshirë disa persona, një prej të cilëve pësoi lëndime të rënda, kurse tre të dyshuarit përfunduan në ndalim policor. Sherri i madh plasi në oborrin e viktimave, ku për motive akoma të panjohura ata u sulmuan dhe përfunduan në spital.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se personat që u arrestuan lidhur me këtë rast janë Sh.Sylejmani, S.Sylejmani dhe L.Sylejmani.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur të dyshuarit kanë shkuar para shtëpisë së viktimave dhe të njëjtit kanë mbetur të bllokuar brenda nga frika që të dalin jashtë.
Sinjali mëson se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur të dyshuarit teksa shanin e ofendonin viktimat.
Këta të fundit kanë dalë jashtë shtëpisë për t’u deklaruar para Policisë, mirëpo të njëjtit kanë hasur në dhunë brutale nga të dyshuarit të cilët nuk hezituan t’i godasin ata me mjete të forta në prezencë të zyrtarëve policorë.
Njëri nga viktimat ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar frakturë në hundë.
Policia ka intervenuar menjëherë dhe ka arritur që të dyshuarit t’i vë nën kontroll dhe më pas të njëjtit janë arrestuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit ata janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.