Çifti i dehur ‘rrotë’ rrahen mes vete, burri thotë se i kujtohet që i ka hyrë dajak gruas

Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike e psikike, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të hënën në një familje në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, një burrë e një grua përfunduan në Polici pasi u rrahën me njëri – tjetrin derisa ishin në gjendje të dehur.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes dhe nisi pas një zënke, e cila pasoi me dhunë fizike, për motive akoma të panjohura.

Posa Policia është vënë në dijeni për rastin, dy palët janë shoqëruar në Polici, por nuk kanë arritur të japin detaje për shkak se kanë qenë nën ndikimin e alkoolit.

Megjithatë, Sinjali mëson se burri i dyshuar e ka pohuar se ka pasur përleshje mes tyre, duke deklaruar se i kujtohet se e ka rrahur gruan.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë