Kërcet dajaku në Istog: Këta janë dy të arrestuarit që u rrahën për një aksident trafiku

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje, raporton Gazeta Sinjali.

Një përleshje mes dy personave ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Gurrakoc të Istogut, të cilët tentuan t’i qërojnë hesapet lidhur me një aksident trafiku që kishte ndodhur kohë më parë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Imer Sejdijaj dhe Demë Ajetaj, të dy rreth 40-vjeçar, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Sejdijaj dhe Ajetaj u kapën në flagrancë nga Policia duke u konfrontuar mes vete, për shkak të një aksidenti të mëhershëm, teksa mbanin në duar edhe mjete të forta, me qëllim që ta godasin njëri-tjetrin.

Sipas informacioneve të para, Policia ka arritur të intervenojë, duke i arrestuar dy të dyshuarit, të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tyre të iniciohet rasti për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë