Instituti i Medias: Kurti ta pezullojë vendimin ndaj Klan Kosovës, procedura nuk ekziston sipas legjilacionit kombëtar

Instituti i Medias Kosovë ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për të pezulluar licencën biznesore të Klan Kosovës.
Përmes një njoftimi, ky Institut e ka cilësuar këtë vendim si një hap mbrapa të lirisë së medias dhe një tentim për ndalimin e punës së mediave në vend.
Sipas tyre, procedura e pezullimit të certifikatave të biznesit nuk ekziston sipas legjislacionit kombëtar.
”Instituti i Medias Kosovë konsideron se pezullimi i certifikatës së biznesit të Televizionit “KLAN KOSOVA” nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, është një hap mbrapa i lirisë së medies dhe një tentim i ndalimit të punës së medieve në vend.
Ky rast është një paralajmërim se vetëm ato medie që janë në shërbim të qeverisë, nuk rrezikohen që të mbyllen. Procedura e pezullimit të certifikatave të biznesit nuk ekziston sipas legjislacionit kombëtar.
Andaj, ftojmë MTI-në që sa më shpejt ta përmirësojë këtë gabim të pafalshëm sepse vendimi nuk ka arsyetim të duhur, është marrë nga departamenti i pakompetencë që është i thirrur për pezullimin e certifikatave të biznesit në vendin tonë.
E ftojmë kryeministrit Albin Kurti që ta pezullojë vendim në fjalë dhe t’i inkurajojë mediet që t’i ushtrojnë detyrat e tyre duke mos u penguar nga askush, sepse pa liri të medieve nuk ka demokraci në vend.
Po ashtu, ftojmë Komisionin e Pavarur për Medie që të mos ndërmarrë asnjë masë ndaj televizionit “Klan Kosova”, por ta lejojë punën fantastike që po e bënë ky televizion për informimin e drejtë të audiencës në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.