Lladrovci në ditën e çlirimit: Do të punojmë shumë për të realizuar amanetin e dëshmorëve!

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me rastin e Ditës së çlirimit, mori pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara në këtë ditë të shënuar, si dhe përurimin e fillimit të punës së kompanisë që investoi mbi 4.5 milion euro dhe punëson mbi 100 punëtorë.
Lladrovci ka shkruar se “ne do të punojmë shumë, që amaneti i dëshmorëve të realizohet”.
Postimi i plotë:
Për Ditën e çlirimit, mora pjesë në disa aktivitete të organizuara për këtë ditë të shënuar, te Ekspozita e skulpturave të Gazmend Buzhalës, promovimi i librit të Hamëz Lladrovcit me titull: “Çështja shqiptare përballë diplomacisë dhe gjeopolitikës ruso-madhe 1856-2022”, si dhe mora pjesë në hapjen solemne të kompleksit IP, me mbi 7.000 metra katror, investim mbi 4.5 milion euro dhe punësimin e 120 punëtorëve.
Ndërsa në Seancën solemne të Kuvendit të Drenasit, mes tjerash theksova: “Dua t’i kujtoj dhe shpreh nderimin e thellë për gjeneratat e tëra atdhetarësh, të cilët rezistuan kundër okupatorit serb. Ndarja e padrejtë e copëtimi i tokave tona në kongrese e konferenca, ngjau pa na pyetur neve, kur trojet tona trajtoheshin si plaçkë tregu për të përmbushur orekset e fuqive të mëdha, duke i bërë koncesione armiqve në dëmin tonë.
Kjo padrejtësi, pas gati një shekulli u korrigjua kur ushtria jonë e lavdishme, UÇK-ja filloi luftën dhe mori përkrahjen e NATO-s, fuqive perëndimore dhe botës demokratike në krye me Amerikën, për të arritur synimin tonë për çlirim.
Në këtë ditë, dua ta përmend heroizmin e Ahmet Delisë e Azem Bejtës, Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, Rifat Berishës dhe Fazli Grajçevcit…për të arritur te Gani Syla, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Bedri Shala, Rasim Kiqina, Ilaz Kodra, dr. Hafir Shala, gjeneratë e cila qëndroi fuqishëm dhe vazhdoi rrugën e Komandantit legjendar, Adem Jasharit. Nderim edhe për të gjithë atdhetarët e çlirimtarët e gjallë që vdekja nuk i deshti.
Sot, neve dhe Kosovës i mungojnë heronjtë e luftës dhe paqes që padrejtësisht ndodhen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj, Sali Mustafa, Pjetër Shala…ne i presim me padurim të lirohen të pafajshëm duke u konfirmuar lufta jonë e pastër, e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare”.
Po ashtu, theksova se “ne do të punojmë shumë, që amaneti i dëshmorëve të realizohet. Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Asamblistë, qytetarë të komunës së Drenasit, gëzuar dita e çlirimit!”
https://www.instagram.com/p/CtevNoRt06n/