Ky është i dyshuari që mashtroi TEB bankën dhe mori 10 mijë euro kredi me kontratë pune të falsifikuar

Mediat raportuan sot për një rast të mashtrimit që dyshohet se ka ndodhur në degën e bankës TEB në Fushë Kosovë, ku një person ka arritur të marrë 10 mijë euro kredi, duke paraqitur dokumente të falsifikuara. I riu që dyshohet për këtë rast tashmë ndodhet në ndalim policor dhe ndaj tij rëndojnë dyshimet për dy vepra penale.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është F.Shaqiri, 34-vjeçar, i cili është arrestuar gjatë ditës së djeshme, pas denoncimit nga ana e zyrtarit të bankës, të cilin arriti ta mashtrojë.
Gjithçka në këtë rast lidhet me kredinë që e mori i dyshuari. Marrjen e një shume të caktuar nga cilado bankë në vend në formë kredie, e përcjellin një mal me dokumente që klienti duhet t’ia prezantojë bankës, si garanci për kthimin e të hollave që merr.
Kështu kishte vepruar edhe Shaqiri, në fillim të këtij viti, kur vendosi që të aplikojë për kredi, në degën e TEB-it në Fushë Kosovë. I dyshuari arriti që t’i marrë hiç më pak se 10 mijë euro kredi me dokumente të falsifikuara.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari F.Sh., duke i paraqitur dokumentet e rreme si të vërteta, siç është kontrata e punës, ka mashtruar bankën dhe si rezultat ka futur në xhep paratë, që i kërkoi si kredi.
Sinjali mëson se pas raportimit të rastit, hetuesit policorë kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore, me ç’rast kanë arritur që të sigurojnë prezencën e personit të dyshuar, i cili ka përfunduar të hënën në Polici.
I njëjti është intervistuar në lidhje me dyshimet e ngritura ndaj tij dhe më pas, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.
Rasti është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës.
“Me datë 15.05.2023 , është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte aplikuar për marrjen e kredisë në një bankë me dokumente të falsifikuara. Me vendim të prokurorit pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.