Dy shoferë kapen në rrethrrotullim në Fushë Kosovë, ndalen në Miradi të Ulët për tu rrahur, intervenon policia

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në Miradi të Ulët në Fushë Kosovë dhe këtë herë në rrahje janë përfshirë dy persona, që dyshohet se u kapën për shkak të një mosmarrëveshje derisa ishin në trafik. Zënka eskaloi deri në dhunë fizike, për çka u desh intervenimi i Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht palët janë kapur mes vete në rrethrrotullim e më pas kanë vazhduar, për t’u ndalur dhe për t’i qëruar hesapet me dhunë.

Dy të dyshuarit, njëri 55-vjeç e tjetri 58 u arrestuan dhe u shoqëruan në stacion policor, teksa në vendin e ngjarjes është gjetur një shufër druri që dyshohet të jetë përdorur. 

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve dhe inicimin e rastit ndaj tyre.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë