Kjo është gjendja shëndetësore e personave që u lënduan në aksidentin në Vragoli, shtatë nga ta janë nxënës

30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në rrugën nacionale Prishtinë – Pejë, saktësisht në fshatin Vragoli. Në aksident u përfshinë një kamion, një veturë dhe autobusi i ‘Graniti Trans’ nga Presheva i cili po bartte nxënësit që ishin në ekskursion, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve, ka folur për Sinjalin mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, i cili tha se atje janë dërguar 13 persona, prej tyre shtatë nxënës.
“Rreth orës 18:30 janë sjellë 13 persona prej aksidentit ku 7 prej tyre janë nxënës. Të gjithë e kanë marrë trajtimin dhe gjithë janë lëshuar në shtëpi pasi s’kanë pasur lëndime të rënda”, tha Syla.
Për aksidentin ka folur edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, i cili tha se në autobus kanë qenë maturantë që ishin duke u kthyer nga ekskursioni dhe se komuna së bashku me agjencinë kanë siguruar transportin zëvendësues për të vazhduar rrugëtimin.