Zona Ekonomike në Drenas/ Bizneset hapin bunarë për tu furnizuar me ujë

Prej dhjetë Zonave Ekonomike (ZE) vetëm katër janë funksionale. Madje edhe këto që janë në funksion ka probleme me mungesën e infrastrukturës.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e performancës “Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga MINT/KIESA” dhe ka gjetur shumë parregullsi në funksionimin e Zonave Ekonomike.
“Nga viti 2005 deri në kohën kur kemi zhvilluar auditimin, dhjetor 2022, janë të themeluara dhjetë (10) ZE prej të cilave vetëm katër funksionojnë. Këto dhjetë zona ekonomike janë themeluar duke u bazuar vetëm në planet e fizibilitetit të cilët i kanë zhvilluar, ndërsa në mungesë të planit nacional nga ana e këshillit kombëtar, këto ZE janë themeluar vetëm duke u bazuar në koncept planin i cili nuk ishte i miratuar. Për më tepër, në këtë koncept plan nuk ceken vendet në të cilat do të ndërtohen këto zona apo ndonjë studim për themelimin e tyre”, thuhet në raport.
Po ashtu raporti ka vë në pah se në Parkun e Biznesit në Drenas, gjatë vizitës që i kanë bërë auditorët në këtë Zonë Ekonomike, kanë vërejtur se shumë bizneseve ju mungonin kushtet elementare siç është furnizimi me ujë, ku për pasoje bizneset kishin hapur bunarët me te cilët zhvilloni aktivitetet e tyre.
Po ashtu nga vëzhgimi fizik i Zonave Ekonomike ZAK-ja ka vërejtur se ka hapësira të lira, ku disa prej tyre ishin të mbuluara me mbeturina dhe të cilat do të mund të shfrytëzoheshin nga bizneset e tjera te cilët kishin nevoje për hapësirë shtese.
“Për shkak te mos menaxhimit të duhur të ministrisë/komunave që bizneset të lirojnë hapësirat të cilat nuk i përmbahen kontratave dhe të cilat nuk po përdoren për qëllimin e synuar ose për të gjeneruar aktivitet ekonomik, disa biznese që kanë një potencial të fortë rritjeje dhe kërkojnë hapësirë shtesë nuk mund të zgjerohen. Organet përgjegjëse për menaxhimin e këtyre zonave ekonomike nuk po japin mundësinë e zgjerimit duke mos liruar hapësirat e papërdorura që janë kontraktuar më parë nga bizneset”,thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, deri më tani infrastruktura fizike ka përfunduar në pesë zona ekonomike: në Drenas, Mitrovicë – qytet, Shtime, Shirokë (Suhareke), Lumadh (Vushtrri). Ndërsa në fazën e investimit janë edhe tre zona tjera ekonomike: në Viti, Lipjan dhe Rahovec. Po ashtu kanë mbetur për të ardhmen Agrozona në Suharekë dhe ZE në Frashër (Mitrovicë).
ZAK-ja ka marrë për mostër pesë ZE ku dy të paraqitura më poshtë janë funksionale.
Parku Teknologjik – Shtime; Parku i Biznesit – Drenas. Ndërsa tri ZE të paraqitura më poshtë nuk kanë arritur të vendosen bizneset në ato zona:
Parku Industrial –Lipjan; Parku Industrial –Vushtrri; Zona Agro-Industriale – Suharekë.
Nga analiza e tyre auditori ka gjetur se ndërtimi në të gjitha zonat kishte zgjatur dukshëm më shumë sesa ishte planifikuar fillimisht. Pasi qw ZAK ka analizuar shpenzimin e buxhetit për investime kapitale total për dhjetë ZE për vitet 2019-2022 krahasuar me buxhetin e planifikuar, shihet se viti 2022 qëndron më dobët sa i përket investimeve në ZE ku ka shpenzime prej 140,699 euro apo vetëm 8.3% të buxhetit të planifikuar. /IndeksOnline/
https://zka-rks.org/wp-content/uploads/2023/05/Raporti_Audititmit_MINT_KIESA-shqip.pdf