Amaneti i dëshmorit 23-vjeçar nga Llapushniku (Video)

Ishte një ditë e qetë në Malin e Kosmaqit.

Por, këtë qetësi e prishi një paralajmërim përmes radio lidhjes.

13 ushtarët e UÇK-së, që me 2 maj ndodheshin tek Lugu i Madh, u njoftuan se forcat serbe, ia mësyn Llapushnikut.

Këtë të fundit po kërkonin banorët e fshatit, të cilët kishin lënë shtëpitë disa ditë më parë.

“Ka qenë roja e ushtrisë, nga dy vetë rrinim në këtë pjesën këtu, ata e kanë verifikuar që janë duke ardhur forcat serbe lartë dhe përmes radio lidhjes kanë thënë që janë duke ardhur këmbësoria, diku 10-12 veta”, tha Nuhi Thaçi, bashkëluftëtar i Feriz Thaçit.

E kur paramilitarët serbë depërtuan në këtë shteg, krisi edhe pushka e ushtarëve të UÇK-së.

Si pasojë e kësaj, dy ushtarë serbë mbetën të vrarë në vend dhe një tjetër u plagos.

Por në këtë betejë, për liri ra edhe 23-vjeçar i UÇK-së, Feriz Thaçi.

“Vullneti për t’ua marrë armët, u çua (Ferizi) me shku me ua marrë armët. Një serb i plagosur më poshtë bërtitke ndihmë (serbisht). Kur ka shkuar Ferizi aty, a e ka gjuajt Ferizin, ai i plagosuri apo dikush prej poshtë, nuk e di, vetëm e ka rrokë këtu (në pjesën e barkut)”, tha më tej ai.

Pas vrasjes, për një javë trupi i 23-vjecarit, mbeti në këtë vend.

E një javë më pas, për ta tërhequr atë, nga Malet e Berishës erdhi një grup i ushtarëve të UÇK-së.

Në mesin e tyre, ishte edhe vëllai i Ferizit, atëkohë 16-vjecari, Abedini.

“Trupin e Ferizit e kemi gjetur pikërisht në këtë vend, edhe këta e kanë marrë trupin e kanë mbështjellë me batanije. Nga këtu, e kemi marrë trupin edhe e kemi dërguar më poshtë ku ka qëndruar për 6 muaj i varrosur”, tha Abedin Thaçi, vëllai i Feriz Thaçit.

Ndërkohë në qendër të odës së familjes Thaçi në Llapushnik, zë vend emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Afër saj, nuk ka si të mungojë, edhe fotografia e djalit të dytë të shtëpisë, Ferizit.

Babai, Sheremeti, i emocionuar kujton amanetin e të birit, në takimin e fundit që e kishte më të.

“Kur jemi takuar, në vendin tonë, tha babë, na kem në Mal të Zi, dëgjuam që u shpall lufta në Kosovë, nuk mundëm të punojmë më. Se dikush duhet me shku për atdheun tonë. Dhe amaneti i Zotit, nëse vritem për liri, pikë loti mos qitni”, rrëfeu babai i dëshmorit, Feriz Thaçi, Sheremet Thaçi.

Familjes Thaçi, forcat serbe, në vitin 1998, ia vranë edhe kryeplakun e familjes, 82- vjeçarin, Ferat Thaçin.

VIDEO

 

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë