Axha i Ilaz Kodrës tregon ku është realizuar foto ikonike e themeluesve të UÇK-së
Rexhep Kodra, axha i komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodrës në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka folur për ushtrimet e themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillim të viteve të 90-ta.
Ai ka treguar se foto e famshme e themeluesve të UÇK-së është realizuar në kohën kur ata po bënin stërvitje gjatë vitit 1993.
“( Në foto janë:) Komandant Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Jakup Nura dhe Ilaz Kodra mbi supet e bashkëluftëtarëve. Kjo fotografi mundet me qenë e vitit ’93, kur u stërvitshin afër neve janë disa male dilnin dhe u stërvitshin, gjuanin sheja dhe në fund u mbledhshin dhe bënin fotografi. Këta bënin fotografi mes veti, sigurisht Jakup Nura i ka bërë këto”, tregoi ai.
I pyetur se a kanë pasur telashe ndonjëherë nga policia serbe në këto stërvitje ai ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë.
“Jo, sepse u kanë zonë e lirë, ky (Ilazi) për një periudhë ka qenë në Gjermani, po tani u shfaq edhe zonë e lirë në Drenicë. Edhe pse kanë qenë afër stacionit janë dëgjuar krismat e tona ato, këta sigurisht nuk ju ka marrë mendja me ardh më andej”.
Në fotografinë e dytë, ai thotë se është Fadil Kodra, Sahit Jashari, Ilazi, Ademi, Sami Lushtaku dhe të tjerë.
Kodra thotë se Ilazi ka qenë i pandashëm me komandant Adem Jasharin.
“Me Ademin kanë qenë të pandashëm çdo herë natën e ditën, janë nda veç kur kanë shkuar në shtëpinë e vetë. Shtëpia te na ka qenë edhe bazë e ushtrisë, edhe te Ademi edhe te Ilazi”, tha Rexhep Kodra.
Fotografia e tretë është sërish nga stërvitjet që ish-pjesëtarët e UÇK-së i kanë bërë në zonën e Drenicës.
“Edhe kjo është aty, te stërvitjet. Në të majtë është Musë Jashari vëllai i Sahitit, Ademi, Jakup Nura, Sami Lushtaku, Ilazi dhe Hamza”, tha ai.
Për fotografinë e katërt, Kodra ka rrëfyer se si kanë kaluar prej zonës së Drenicës, në fshatin Duboc të Vushtrrisë, nën forcat paralimitare serbe.
“Kjo foto është në Prelloc, një fshat afër Çyçavicës ma larg prej neve pak. Kemi shkuar andej dhe kemi kaluar prej anës së Dubocit prej Vushtrrisë vijnë për Duboc edhe i shohim dy autoblinda edhe na ishim ma poshtë, rruga ish pak më lart, Ilazi na tha po vijnë e nëse hynë në fshat mos i gjuani, e nëse bëjnë ndonjë problem tha atëherë ne i kundërvihemi, nëse jo unë ju tregoj, por pa thënë unë nuk bën askush me gjuajt, edhe aty kaluan nuk benën ndonjë problem s’pati telash. Jam edhe unë në foto i dyti prej anës së djathtë”.
Fotografia e pestë shfaqë Ilaz Kodrën, ku ka dhënë një intervistë për një gazetë të asaj kohe me titullin “Ideologji e çdo shqiptari duhet të jetë çështja kombëtare, ndërsa parti – kombi”.
Për këtë intervistë të Ilazit, Kodra ka thënë se është realizuar në kullën e shtëpisë së tyre, ku edhe sot e asaj dite është duke e ruajtur aty.
“Këtë gazetë e kanë marrë në diasporë është ruajtur, ndërsa pas luftës ma ka kthyer një djalë i axhës që ka punuar atje, e ka marrë e ka lexuar, e ka ruajtur dhe ma ka kthyer, edhe sot e kam brenda në xham në kullë. Kjo intervistë është dhënë në kullë te na dhe e ruajmë aty”, tha Kodra.
Fotografia e gjashtë është shkrepur në kohën kur është bërë varrimi, ku Kodra thotë se në atë ditë janë varrosur të gjithë pjesëtarët e ushtrisë që ishin vrarë.
“Kjo është kur është bërë varrimi, aty janë varrosur në mënyrë solemne të gjithë ata që janë kanë ushtarë të vrarë, e kanë bërë një kompleks në Polac dhe janë varrosur aty krejt”, tha ai.
Tutje, në fotografinë e fundit shihet arkivoli i Ilaz Kodrës, ku pranë tij qëndron nëna.
“Kjo fotografi është kur ka ardhur kufoma dhe është bërë varrimi, është nëna e Ilaz Kodrës aty”, thotë ai.
Në fotografinë e fundit shfaqet betimi i parë i UÇK-së me komandant Ilaz Kodrën, në Brigadën 114.
“Rreshtimi i parë i ushtarëve, kur ofensiva e shtatorit vritet Fehmi Lladrovci. Brigada e ka marrë emrin e Fehmiut 114, se komandanti i parë që është vrarë e ka marrë tani emrin e Fehmisë, tha Rexhep Kodra.
Për fund Kodra thotë se është krenari që në familje kanë një nip si Ilaz Kodra.
“Është krenari, kur e shohim se një nip e kemi aq të fuqishëm, jemi të lavdëruar për këtë pjesë”. /teve1.info/