Zyrtarja e Komunës së Skenderajt deklarohet e pafajshme lidhur me akuzën për korrupsion

Në seancën e shqyrtimit fillestar të së enjtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, e akuzuara Bukurije Koshtova, e cila po ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Skenderajt, ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është deklaruar e pafajshme për veprën penale që i vihet në barrë.
Këtë deklarim, e akuzuara Koshtova e bëri pasi iu lexua aktakuza nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, e njëjta u njoftua me të drejtat e saj në procedurë, si dhe pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar, nga gjyqtari i rastit Rrahman Beqiri.
Tutje, gjyqtari Beqiri i njoftoi palët se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, i pranishëm në seancë, ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarës Koshtova, avokati Rexhep Kaçaniku.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 28 prill 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Bukurije Koshtovës, me arsyetimin se më 31 mars 2016, në cilësinë e zyrtares së Administratës në Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Skenderajt, ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe nuk ka përmbushur detyrën e saj zyrtare.
Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur ashtu që e njëjta sipas kërkesës së personit Patriot Gashi, ka plotësuar formuarin për kërkesa apo ankesa të datës 31 mars 2016, ndërsa duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ nr. 02/2013 pa siguruar paraprakisht autorizimin nga kërkuesi, i dërgon të dhënat tek zyrtari përgjegjës (juristi) për certifikatën e pronësisë në emër të pronarit Behram Syla, ku pastaj në bazë të këtyre të dhënave i pandehuri Ylber Syla, ndaj të cilit është ndarë procedura, e falsifikon certifikatën nr. 7075, të 28 qershorit 2016 në emër të Behram Sylës, duke e transferuar në emrin e tij, Ylber Syla dhe përmes kësaj certifikate aplikon për fitimin e grantit pranë AZHB-së.
Me këtë, e pandehura Koshtova ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par. 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.