Sulmohet fizikisht Valon Syla
Gazetari dhe opinionisti kosovar, Valon Syla, është sulmuar sonte nga disa persona dhe si pasojë ka pësuar lëndime trupore, raporton Gazeta Sinjali.
Siç raportohet, e gjithë ngjarja ka ndodhur pak minuta pas përfundimit të emisionit ‘Pressing’ në T7, ku Syla është panelist.
Menjëherë pasi ai ka dalë nga zyrat e televizionit, tre persona dyshohet ta kenë ndjekur nga pas dhe e kanë sulmuar në kafenenë ‘Image’ duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë.
Sinjali mëson se Syla është dërguar në Emergjencë, ku edhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Kujtojmë që gjatë ditës së sotme Syla ka publikuar disa reagime lidhur me dhuratën që i është bërë hoxhës, Mazllam Mazllami, nga disa besimtarë me rastin e pensionimit të tij.
Por nuk dihet nëse kjo mund të ketë qenë arsyeja e sulmit ndaj tij, apo bëhet fjalë për diçka tjetër.