Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Tërstenik dhe Negroc

Në 25-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve, në fshatrat Tërstenik dhe Negroc të Drenasit, sot janë përkujtuar dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe martirët e këtyre zonave.
Të pranishëm në nderime ishin kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorë, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të shumtë liridashës, ku fillimisht bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Tërstenik, për të vazhduar tutje tek kompleksi memorial “Pëllumbat e Lirisë”, në fshatin Negroc.
Gjatë homazheve, kryetari Lladrovci tha se sot kur përkujtojmë të rënët dhe martirët, kujtojmë edhe lavdinë, krenarinë, qëndresën dhe sakrificën e dëshmorëve dhe të popullit liridashës që i dhanë kuptimin e vërtetë lirisë që gëzojmë sot. Andaj, përkujtimi dhe respekti për dëshmorët dhe martirët do të mbetet i përjetshëm në zemrat tona dhe në kujtesën e krenarisë sonë kombëtare.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!