Gjykata merr vendim për të dyshuarin për vrasje në tentativë ndaj vëllezërve Hajdini 

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Abedin Starabaja, i dyshuar për vrasje në tentativë ndaj vëllezërve Hajdini, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas një komunikate për media, Gjykata i ka caktuar Starabajës masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 05.04.2023, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje pas një mosmarrëveshje të mëhershme ka tentuar të privojë nga jeta tani të dëmtuarit L.H dhe Sh. H., ku i pandehuri del nga vetura dhe shkrep me revole në drejtim të dëmtuarve dhe i godet në pjesët e poshtme të trupit, ku për shkak të lëndimeve të marra të dëmtuarit detyrohen të marrin trajtim mjekësor. Më këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Starabaja dyshohet të ketë shkrepur armën e zjarrit ku si pasojë mbetën të plagosur vëllezërit Sh. dhe L. Hajdini. Vëllezërit Hajdini u dërguan me urgjencë në spital, ndërkohë që për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Sh. Hajdini është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një thikë dhe tri gëzhoja të cilat dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë