Sot mbahet ‘Marshi për Drejtësi’, bëhet thirrje për pjesëmarrje masive

Sot mbahet ‘Marshi për Drejtësi’, për të kërkuar drejtësi për ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që janë duke u gjykuar në Hagë, raporton Gazeta Sinjali.

Ky marsh do të fillojë sot nga ora 14:00 në Prishtinë.

Organizatorët e ‘Marshit për Drejtësi’, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, dje iu kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në këtë organizim.

Hoxha tha se për këto dy javë sa është bërë fushata për organizim, ftesat për pjesëmarrje kanë gjetur përkrahje të jashtëzakonshme.

“E ndjejmë për obligim që të falënderojmë të gjitha pa dallim të cilët na kanë mbështetur për realizimin e këtij marshimi. Marshimi është vetëm një ditë para fillimit të procesit gjyqësor, falënderojmë organizatat e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, të martirëve, partitë politike, tifozeritë sportive, forumet rinore të universiteteve, aleancat e bizneseve, komunat e Kosovës, kryetarët e komunave e të gjithë qytetarët pa dallim” – ka thënë Hoxha.

Ndërsa organizatori tjetër, Ismail Tasholli, tha se qëllimi i marshimit është për të mbrojtur të vërtetën e Kosovës, e që sipas tij, është UÇK-ja.

‘Marshin për Drejtësi’ e ka mbështetur edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë