I verbër, por prapë lexon kuran: Albert Bardhi nga Drenasi u çon mesazh motivimi personave me nevoja të veçanta

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush. Kështu që të bëheni të devotshëm” – lexon Albert Bardhi.
Mungesa e dritës së syve nuk e ndalon Albert Bardhin nga Drenasi ta lexojë librin e shenjtë të myslimanëve.
Nga leximi i Kuranit 35-vjeçari gjen motivim. Tash edhe falet, por nuk ka qenë gjithmonë kështu.
“Prej kur e kam marr në Bashkësinë Islame e kam lexuar disa herë. Është njëfarë motivimi, nëse mund të shprehem kështu. Kuranin kam nisur ta lexoj, besa edhe të falem. Nuk është se më përpara kam qenë i lidhur fort me fenë. Edhe pse u kanë mirë edhe atëherë, thjesht caktim i zotit ka qenë atëherë dhe jam deri këtu ku jam sot” – shprehet Albert Bardhi.
Alberti e urren të qëndrojë pasiv. Ndërsa personat e verbër tek ai gjejnë vazhdimisht ndihmë.
“Aktiviteti im është si trajner. Jam i propozuar nga Shoqata (e të Verbërve të Kosovës) që t’i trajnoj njerëzit të shkruajnë dhe lexojnë braille. Por, braille s’është vetëm (për) shkrim dhe lexim, aty mund të shkruhen dhe lexohen nota muzikore” – thotë Albert Bardhi.
Për personat me nevoja të veçanta dhe të afërmit e tyre Alberti ka një mesazh motivues.
“Mos u ndjeni keq që jeni persona të verbër, apo persona me nevoja të veçanta. Kjo është sprove nga zoti fuqiplotë. I lus të gjitha familjet që kanë anëtar me nevoja të veçanta, mos i leni pasiv por aktivizoni. Dilni shëtituni me ta… ose çfarëdo qoftë vetëm që personi me aftësi të kufizuara të mos qëndrojë i mbyllur. S’ka nevojë të ndihemi keq sepse e kemi një nevojë të veçantë” – dha mesazh Albert Bardhi./Nacionale/