Arrestohet një person në Klinë, dyshohet se dhunoi vajzën e mitur që u raportua e zhdukur

Të miturat janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Shumë herë këto ngjarje zbulohen pasi viktimat largohen nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur në Klinë, ku një person ka kërkuar ndihmën e Policisë për vajzën e tij të mitur që ishte raportuar e zhdukur.
Sipas komunikatës së Policisë, e mitura është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore, por e njëjta dyshohet të jetë dhunuar nga një person i cili është arrestuar.
“Ankuesi deklaron se vajzën e ka kёrkuar nё disa lokacione por nuk e ka gjetur, i njëjti ka deklaruar se kishte informacion se vajza e tij ndodhet ne qytetin e Mitrovicës. Pas njё pune intensive tё hetuesve tё Stacionit Policor Klinё, me datё 29.03.2023, rreth orёs 20:00, ka arritur ta identifikoj lokacionin e personit tё dyshuar dhe i njёjti ёshtё arrestuar. Viktima ёshtё nё gjendje tё mirё shëndetësore dhe e njëjta pas intervistimit ёshtё dёrguar nё shtёpi tё sigurtё”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.