Hyri në ujë për të shpëtuar një fëmijë, humb jetën tragjikisht Ademi nga Drenasi

Adem Qorri, një shqiptar i Kosovës, ka ndërruar jetë tragjikisht në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi është mbytur.
Mësohet se ngjarja e rëndë që i mori jetën shqiptarit, i cili jetonte me familje në Florida, ka ndodhur ditën e djeshme teksa ai po shpëtonte një fëmijë nga mbytja në det, por fatkeqësisht mbeti i vdekur vetë.
Kanë qenë miqtë dhe familjarët e tij, që kanë njoftuar lajmin e dhimbshëm.
“Me pikëllim të madh morëm lajmin për vdekjen tënde në Amerikën e largët! Të vdesësh duke shpëtuar jetë është vdekje fisnike! Do të mbetesh i pavdekshëm! Për herë në zemrat tona, Adem Halim Qorri”, ka shkruar një familjar i Ademit.
Familjarët e Qorri kanë kanë treguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.
“Ata kanë shkuar në plazh për të festuar me ekipin, djali i tij së bashku më një shok kanë qëlluar në ujë kur edhe rryma e ujit është aktivizuar. Djalin e tij e ka shpëtuar trajneri i ekipit, ndërsa Ademi ka hy ta shpëtojë shokin e të birit. Atë e ka shpëtuar, por vetë nuk ka pas mundësi të dali pasi rryma e ujit e fuqishme nuk e ka lejuar”, kanë deklaruar familjarët e të ndjerit për IndekOnline.
Sipas raportimeve, mësohet se Ademi ishte baba i tre fëmijëve.