Ardian I. Bajraktari: Mbajtja në paraburgim e të akuzuarve në Hagë është shkelje e standardeve ndërkombëtare
O p i n i o n
Paraburgimi është njëra nga masat (më e ashpra) e cila mund të përdoret për të siguruar praninë e të pandehurit, për pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Përveç paraburgimit, personave ndaj të cilëve zhvillohet procedurë penale mund t’i shqiptohen edhe masat tjera alternative për të arritur qëllimet e Gjykatës.
Mbajtja në paraburgim e personave ndaj të cilëve po zhvillohet procedurë në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë është përtej standardeve të njohura ndërkombëtare, cenon rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut, lëndon imazhin e Republikës së Kosovës në botë, lëndon institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Në Hagë janë çlirimtarët, jo kriminelët e supozuar.
Si rezultat i rrethanave të krijuara aso kohe, nga Raporti famëkeq i Dick Marty-t dhe Rezolutës së KE-së, përmes amendamentimit të Kushtetutës në vitin 2015, Republika e Kosovës themeloi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kuadër të sistemit të drejtësisë të Kosovës.
Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohen, pos me Kushtetutë dhe me ligj të veçantë, përkatësisht Ligjin Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ligji i cili në nenin 1, paragrafi 2, ndër të tjera përcakton: “Dhomat e Specializuara brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të specializuar, janë të domosdoshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të parapara në Ligjin nr. 04/L-274, për garantimin e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës…”.
Pra, Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (më tej: Dhomat e Specializuara) në Hagë, me gjithë faktin se janë si mekanizma hibrid, ato janë pjesë dhe funksionojnë (së paku do të duhej të funksiononin) brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës.
Duke qenë pjesë e këtij sistemi, fushëveprimi i Dhomave të Specializuara funksionojnë mbi bazën e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, (më tej: Ligji), i cili në nenin 41 e rregullon çështjen e paraburgimit, si masë për sigurinë e të pandehurit në procedurë penale.
Paragrafi 1 i nenit 41 të Ligjit, përcakton si në vijim: “Askush nuk privohet nga liria nga Dhomat e Specializuara ose Prokurori i Specializuar, apo në emër të tyre, përveç në rrethanat dhe në pajtim me procedurat e përcaktuara nga ky ligj dhe mbrojtjet e garantuara në nenin 29 të Kushtetutës”.
Kurse paragrafi 12 i nenit 41 të Ligjit, përcakton si në vijim: “Përveç paraburgimit, Dhomat e Specializuara mund t’i urdhërojnë edhe masat në vijim për ta siguruar praninë e të akuzuarit (përfshirë përmes video telekonferencës) gjatë procedurës, për ta parandaluar përsëritjen e kryerjes së veprës apo për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale: a. fletëthirrjet, b. urdhër-arresti, c. dorëzani me lirim në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, d. paraburgim shtëpiak në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, e. premtim që të mos largohet nga vendbanimi aktual në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës, f. ndalimi nga afrimi i vendeve apo personave të caktuar, g. paraqitja në stacionin e policisë apo në ndonjë vend tjetër në Kosovë, nëse i akuzuari pajtohet që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës dhe h. Devijimin”.
Në referencë të nenit 41, Ligji jepe mundësinë për shqiptimin e masës së paraburgimit, por edhe masave të tjera alternative, në pajtim me Ligjin si dhe parimet e përcaktuara me nenin 29 (E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë) të Kushtetutës.
Përkitazi me çështjen e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, përmes rastit Br. ref.: AGJ 1455/19, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 357/2017, te 22 dhjetorit 2017, në mënyrë të zgjeruar ka bërë interpretimin e paraburgimit, në pajtim me nenin 29 të Kushtetutës, por edhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEND).
Lidhur me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese, në pikën 117 të Aktgjykimit, ndër të tjera përcakton se: “….Megjithatë, Gjykata vlerëson se është shumë e rëndësishme që përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese do të vendoset një standard i ri në praktikën gjyqësore në Republikën e Kosovës dhe, rrjedhimisht gjykatat e rregullta, në të ardhmen, do të duhet të veprojnë në përputhje me parimet dhe standardet e elaboruara në këtë Aktgjykim, të cilat janë interpretuar në pajtim me praktikën gjyqësore të GjEDNj-së.”
Kurse, sa i përket praktikës së GjEDNj, vlen: i hidhet një vështrim pikave 67 dhe 68 të Aktgjykimit; “GjEDNj, në praktikën e saj gjyqësore, ka përcaktuar tri kritere themelore, që duhet ekzaminuar për të vlerësuar nëse privimi i lirisë, është i ligjshëm dhe jo arbitrar (shih rastin e GjEDNj-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, [DHM] kërkesa nr. 72508/13, Aktgjykim i 28 nëntorit 2017, paragrafi 183).
Së pari, duhet të ekzistojë “dyshimi i bazuar” që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale (shih rastin e GJEDNJ-se, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, [DHM] kërkesa nr. 72508/13, Aktgjykim i 28 nëntorit 2017, paragrafi 184).
Së dyti, qëllimi i privimit të lirisë” është që në parim duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale” (shih, rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, Aktvendim për Papranueshmëri i 16 nëntorit 2017, paragrafi 57, shih po ashtu rastin e GjEDNj-së, Ostendorf kundër Gjermanisë, nr. 15598/08, Aktgjykimi i 7 marsit 2013, paragrafi 68), dhe për më tepër, duhet të jetë proporcional, në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm “për të siguruar paraqitjen e personit të afektuar para autoriteteve kompetente përkatëse” (shih, rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, Aktvendim për Papranueshmëri i 16 nëntorit 2017, paragrafi 57, shih po ashtu rastin e lartcekur të GjEDNj-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 185).
Së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj (shih rastin e lartcekur të GjEDNj-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 186)”.
Në pajtim me rrethanat, kushtet dhe bazën që ofron ligji, janë përmbushur dhe ekzistojnë të gjitha kushtet që të paraburgosurit në Hagë, të lirohen dhe mbahen në kushtet e lehtësuara sipas nenit të ligjit të lartcekur, sepse janë evituar të gjitha shkaqet të cilat kanë sjell vendimin e parë kundër tyre për t’u mbajtur në paraburgim.
Po ashtu, sigurimi i të pandehurve në procedurë do të mund të bëhet lehtësisht, për faktin se çlirimtarët tanë e të pandehurit për shkaqe procedurale, kanë shprehë gatishmëri të plotë për t’ju përgjigjur Gjykatës, po ashtu edhe rrethana e pengimin e ri kryerjes së veprës penale është e pamundur, e rrjedhimisht edhe me shqiptimin e ndonjërës nga masat tjera alternative të paraburgimit, padyshim se mund të ketë zbatim të suksesshëm të procedurës penale.
Ndonëse lidhur me të drejtat e njeriut dhe respektimin e tyre ka garanci kushtetuese, ngase në amendamentin kushtetues përcaktohet: “Do të emërohet një Ombudsperson i veçantë i Dhomave të specializuara, me përgjegjësi ekskluzive për Dhomat e Specializuara dhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar…”, ky amendament ka krijuar edhe një institucion paralel që vetëm Republika e Kosovës nuk e kontrollon dhe se raportet e tij me Ombudspersonin e Kosovës, pa pasur ndonjë komunikim të mirëfilltë, Pyetja është se si do të mbrohen dhe mbikëqyren standardet ndërkombëtare me dy mekanizma paralel, përgjigja është vet praktika e kësaj gjykate.
Fundja, institucioni i Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duhet të jenë të bindur se Republika e Kosovës qëndron pranë ish udhëheqësve të saj të luftës dhe paqes, udhëheqës të cilët meritojnë lehtësimet e parapara me ligj dhe kundërshtim të masës së paraburgimit.