Organizata Humanity First e Gjermanisë shpërndan 100 pako ushqimore për të prekurit nga vërshimet në Skënderaj

Kosova më 18 dhe 19 janar 2023, u godit nga një shi i rrëmbyeshëm dhe si pasojë pati përmbytje të mëdha në disa qytete, si: Podujevë, Pejë, Gjakovë, Istog, Deçan, Mitrovicë dhe Skënderaj. Për fat, asnjë viktimë nuk u regjistrua por pati dëme të mëdha në tokën bujqësore, amvisëri shtëpiake, të mira materiale dhe ngordhjen e kafshëve shtëpiake. Organizata Humanity First e Gjermanisë iu përgjigj kërkesës së dy komunave më të prekura nga vërshimet: Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Komunës së Skënderajt.
Më 11 dhe 12 shkurt 2023 në dy lagje të Mitrovicës së Jugut, të cilat ishin të prekura nga vërshimet u shpërndanë 100 pako ushqimore dhe 100 pako higjienike për 100 familje.
Ndërsa më 22 shkurt 2023 pasi u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit me kryetarin e Komunës së Skënderajt, Z. Fadil Nura, ku në takim ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, Znj. Rrezarta Hasani-Ibrahimi, Organizata Humanity First e Gjermanisë zyrtarisht filloi shpërndarjen e 100 pakove të tjera me 18 produkte bazë ushqimore përfshirë: miell, sheqer, vaj, kripë, makarona, oriz, qumësht, pasul etj.. Shpërndarja vijoi për dy ditë të plota. Ditën e parë me mbështetjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale të kësaj komune, të cilët e kishin përpiluar listën e 100 familjeve përfituese, filloi shpërndarja e 50 pakove ushqimore derë më derë në fshatrat: Tushilë, Kuqicë, Vajnikë, Burojë, Rezallë, Lubavec, Kozhicë, Kopiliq i Poshtëm dhe Açarevë. Nga afër u panë edhe dëmet e shkaktuara nga shiu, rrëshqitjet e dheut dhe dalja nga shtrati i lumit Klina, ku në disa shtëpi të cilat ishin afër lumit, niveli i vërshimit kishte arritur mbi një metër e gjysmë lartësi.
Shpërndarja e 50 pakove të tjera vijoi edhe ditën tjetër më 23 shkurt 2023, ku 50 familje nga fshatrat: Prekaz i Epërm, Kllodenicë, Mikushnicë, Qubrel, Klinë e Epërme, Llaushë dhe nga qyteti Skënderaj përfituan nga një pako ushqimore e cila do t’i mbulojë kërkesat ushqimore për një familje mesatare për mbi një muaj.
Aktiviteti humanitar i Organizatës Humanity First e Gjermanisë, u përmbyll me sukses duke iu falënderuar bashkëpunimit institucional të Komunës së Skënderajt, Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, zyrtarëve dhe vullnetarëve të Qendrës për Punë Sociale dhe vullnetarëve të Organizatës Humanity First Germany.