Ardian Bajraktari flet për rëndesinë e avokatisë

O P I N I O N

Ardian I. BAJRAKTARI

Avokatura është profesion i pavarur, e cila ofron shërbime sikur është e rregulluar me ligj, kurse mënyra e fitimit të së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit, si dhe marrja e kësaj të drejte, rregullohen me ligj. të tillë funksionin e avokatit e përcakton Kushtetuta jonë, kurse Ligji për Avokatinë, këtë të fundit e përcakton profesion të lirë dhe të pavarur që merret me dhënien e ndihmës juridike personave fizikë dhe juridikë për mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe të interesave të tyre në pajtim me rendin juridik.

Duke qenë pjesë e Kushtetutës, përkatësisht kapitullit të VII (Sistemi i Drejtësisë), avokatia është pjesë integrale e këtij sistemi, misioni i të cilës është dhënia e ndihmës juridike personave fizik dhe juridik. Duke qenë pjesë e këtij sistemi, avokatia dhe avokati ka mision që duke ofruar ndihmën dhe ekspertizën e tij/saj të ndikoj në mbrojtjen dhe zbatimin e ligjit dhe të ligjshmërisë.

Në përditshmërinë tonë, është një ide dhe diskurs që avokati dhe avokatët synim kryesor kanë mbrojtjen e “kriminelëve”, dhe realizimin e interesave materiale. Se si ka ardhur deri tek ky opinion dhe kush i ka kontribuar e kush i kontribuon më shumë kësaj qasje, kjo është një dilemë.

Por se realiteti është ndryshe, e natyrisht se ndryshimit të këtij diskursi, të kësaj mendësie, para së gjithash dhe në radhë të parë duhet t’i kontribuojnë vet avokatët.

Po cilët avokat, avokatët të cilët këtë funksion e cilësojnë si mision, avokatët të cilët këtë funksion si dhe veten e tyre e shohin si pararoje e ligjshmërisë

Avokati dhe angazhimi i tij, ndikon dhe në zvogëlimin e burokratizimit dhe abuzimit me funksionin publik. Kjo për faktin se të qenit avokat nënkupton njohjen e legjislacionit, e kjo ndikon që kryerja me efikasitet e shërbimeve dhe e punëve për qëllime dhe nevoja të palëve që përfaqëson, kurse këta të fundit i bën të mos e çajnë kokën për punë të cilat janë të avokatit.

E si mund të bëhet kjo? Avokati familjar është zgjidhja, autorizon avokatin familjar, e paguan (sipas tarifave të vendosura nga Oda e Avokatëve të Kosovës apo sipas marrëveshjes) dhe ai merret me punët dhe shërbimet për nevoja tua, pa pasur nevojë as të bëhet korrupsion, e as të kërkohen “të njofshëm”.

Tradita e parapagimit të avokatit familjar, apo kundrejt pagesës vjetore si tarifë elementare, është tashmë realitet në vendet e BE-së. Avokati kujdeset për tërë procedurat juridike, nga tatimet, ankesat për shërbimet komunale e kundërvajtës por edhe çështjet e lidhura me të drejtat e qytetarit të cilat më së miri mbrohen nga avokati.

Ashtu siç ekziston Mjeku familjar që merr përsipër shumicën e gjendjeve të lidhura me shëndetin e një qytetari të sëmurë, kontribut dhe komponentë për shërimin nga korrupsioni, pa traditë të mbrojtjes së drejtë e ligjore në pajtim me ligjet demokratike, do të ishte avokati familjar.

*Autori është jurist me profesion dhe për më shumë se dhjetë vite ka punuar në fushën e hartimit të legjislacionit, aktualisht është licencuar Avokat.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë