Burrë e grua që u lënduan në aksidentin e rëndë në rrugën Ferizaj – Shtime dërgohen në QKUK

Një aksident tragjik ndodhi sonte në rrugën Ferizaj – Shtime, ku mbetën të vdekur katër të rinj dhe u lënduan dy të tjerë. Plagëve që morën si pasojë e përplasjes me një veturë tjetër, të rinjtë nuk arritën t’iu mbijetonin dhe fatkeqësisht vdiqën në vendin e ngjarjes. Kurse dy të lënduarit, një çift bashkëshortor janë dërguar për trajtim në QKUK.
Burime nga Emergjenca kanë bërë me dije se çifti janë nga fshati Begrancë i Kaçanikut, gjendja shëndetësore e të cilëve akoma nuk dihet.
Pak më parë, Sinjali raportoi se tre nga katër personat e vdekur në këtë aksident tragjik janë Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar, teksa personi tjetër akoma nuk është identifikuar.
Vdekjen e tyre e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe një çift, që pësuan lëndime të rënda trupore.
Sipas informacioneve të para, të rinjtë ishin në një veturë të tipit BMW, kur papritmas shoferi humbi kontrollin dhe u përplas me veturën në të cilën ndodhej çifti, duke pësuar kështu plagë të cilave nuk mundën t’iu bënin ballë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Ferizaj dhe kanë njoftuar se vdekjen e viktimave e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 19:15 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në aksin rrugor Ferizaj -Shtime, në hyrje të Shtimes, ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë tri automjete të udhëtarëve, vetura me targa vendore. Si pasojë e këtij aksidentit, 4 persona kanë humbur jetën, vdekja e të cilëve është konfirmuar nga mjekët në vendin e ngjarjes.
Ekipe të Emergjencave janë në vendin e ngjarjes Njësia e Hetimeve të Komunikacionit Rrugor ka nisur hetimet”.
Ndërkohë janë publikuar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.