Ushtarët e UÇK-së rrëfejnë përjetimet e luftës para fëmijëve në shkolla

Në kraharorin e tyre mbajnë simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Historia e kësaj force çliruese të Kosovës, po merr më shumë kuptim derisa nxënësit po dëgjojnë rrëfimin e një ish-ushtarit të UÇK-së, që edhe emrin e ka të lidhur me luftën, Luftar Brahës.
Braha po shpalos të gjitha përjetimet e luftës me nxënësit e klasave të gjashta të shkollës “Hasan Prishtina”.
Me vëmendje të madhe nxënësit po i dëgjojnë këto histori.
E me kureshtje pyesin për kohën e luftës dhe guximin e ushtarëve për të luftuar.
Po aq mirë sa nxënësit, këtë aktivitet e mirëpritën edhe prindërit.
I njëjti aktivitet po bëhet edhe në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.
Këtu ushtarja e UÇK-së, Ibadete Canolli-Kaçiu, e cila shërbeu në grupin gueril BIA, si ushtare dhe mjeke, para nxënësve e lexon betimin.
Kaçiu kërkon nga nxënësit të betohen se do të mësojnë e punojnë për të ardhmen e Kosovës.
As në këtë organizim nuk mungoi kureshtja e nxënësve.
Këto organizime u realizuan në prag të 17 shkurtit, ditës në të cilën u shpall Pavarësia e Kosovës.