Sulmohen seksualisht dy vajza të mitura në Drenas, 40-vjeçari bashkë me një 16-vjeçar iu ofrojnë para për seks

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet. Jo rrallëherë ndodhë që viktimat të jenë edhe vajzat e mitura, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë te qendra e re tregtare në Drenas, ku dy persona po dyshohen se kanë sulmuar seksualisht dy vajza të mitura, të moshave 13 dhe 15 vjeçare.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se të dyshuarit F.M., i moshës madhore dhe i dyshuari i tjetër, i mitur, kanë tentuar t’i joshin dy viktimat për shërbime seksuale. Sipas informacioneve të para, të njëjtit iu kanë ofruar edhe para vajzave, me qëllimin që t’i bindin për të kryer marrëdhënie seksuale.
Por fatmirësisht vajzat shpëtuan pasi dikush denoncoi rastin në Polici dhe viktimat u shoqëruan në stacion policor, ku kanë rrëfyer në detaje rastin para hetuesve policorë.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Sulm seksual”.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Kushdo që prek personin tjetër me qëllim seksual ose e cyt personin e tillë të prekë kryesin apo personin tjetër për qëllim seksual, pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vjet”.