Kërcet dajaku/ 51-vjeçari bashkë me djem rrahin nipat, përfundon në pranga

Jo rrallëherë konfliktet mes anëtarëve të një familje eskalojnë në sulme brutale e kërcënime serioze. Policia ka intervenuar në shumë raste të tilla, ku të përfshirë kanë qenë motrat, vëllezërit, baballarët e familjarët e tjerë. Kështu ka ndodhur edhe në një familje në Magure të Lipjanit, por këtë herë sherri ka plasur mes disa djemve dhe xhaxhait të tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një person tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, ndaj të cilit kanë nisur hetimet si i dyshuar për këtë rast.

Sinjali mëson se incidenti ka ndodhur në orët e pasdites, kur një 51-vjeçar bashkë me djemtë e tij dyshohet se ka sulmuar nipat e tij (djemtë e vëllait) për motive akoma të panjohura. Fillimisht palët kanë pasur një zënkë e më pas konflikti ka eskaluar në sulm fizik, ku për pasojë dy vëllezërit kanë pësuar lëndime trupore.

Përballë kësaj situate, viktimat e kanë denoncuar xhaxhain në Polici, ku kanë rrëfyer në detaje për rastin që kishte ndodhur. Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin kryesor, i cili është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë