Klasifikimi i informacioneve, a u shkel ligji me rastin e publikimit të raportit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në ShBA, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

O P I N I O N
Ardian I. BAJRAKTARI

Publikimi i një raporti të Ambasadorit të Republikës së Kosovës, në ShBA, fillimisht në gazetën/portalin “Nacionale”, pastaj edhe në disa mediume tjera, ishte arsyeja që më shtyri të shkruaj këtë opinion.

Në vendet e zhvilluara demokratike, por edhe në ato në zhvillim, ka një tendencë në mes të publikimit të asaj që quhet interes publik si dhe ruajtjes së fshehtësisë-sekretit zyrtar.

Balancimi i këtyre dy rrymave, është çështje mjaft sfiduese, madje është sfidues edhe për shtetet e konsoliduara, e lëre më për shtetet në konsolidim e sipër, siç jem ne.

Interesi i publikut, apo e drejta e publikut për t’u njoftuar me zhvillime, të karakterit të rëndësishëm ndonëse vështirë i definuar, është ajo për të cilën kanë synim mediat, ajo për të cilën zaten edhe janë dhe funksionojnë ato.

Por ky interes, në rrethana përjashtuese duhet të jetë më pak i rëndësishëm, në disa fusha të caktuara.

Klasifikimi i informacioneve, kriteret, nivelet dhe përgjegjësia për klasifikim

Çështja e klasifikimit të informacioneve tek ne është e rregulluar me Ligjin Nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, qëllimi i të cilit ndër të tjera është themelimi i një sistemi unik për klasifikimin dhe ruajtjen e informacioneve që kanë të bëjnë me interesat e sigurisë së Kosovës. Ligj ky i cili zbatohet ndaj të gjitha institucioneve publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore dhe ndaj Presidencës së Kosovës, po ashtu, edhe ndaj personave fizikë dhe juridikë të cilët në çfarëdo forme mund të kenë qasje në informacionet e klasifikuara.

Ligji i cekur më lartë, përcakton se informacionet duhet të klasifikohen, kur një gjë e tillë është e nevojshme, po ashtu përcakton edhe kompetencën/përgjegjësinë e institucioneve për klasifikim, si dhe fushat përkatësisht kategoritë.

Kategoria e informacioneve përkatësisht marrëdhënieve me jashtë, është njëra nga kategoritë, informacionet e të cilës duhet të klasifikohen.
Po ashtu, edhe obligimin që ka autoriteti i klasifikimit i cili duhet të vendosë për nivelin e klasifikimit të informacionit, varësisht prej shkallës së dëmit që do të kishte publikimi i paautorizuar i tij për interesat e sigurisë në Republikën e Kosovës.

Ligji përcakton edhe nivelin e klasifikimit të informacioneve, në katër sosh: tepër sekret, sekret, konfidencial dhe i kufizuar.

Nivelet e klasifikimit zbatohen për informacionet, hapja e paautorizuar e të cilave do të shkaktonte apo dëmtonte interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës, duke filluar nga niveli më i lartë (tepër sekret), ku dëmi do të ishte jashtëzakonisht i rëndë, pastaj publikimi i paautorizuar i informacioneve sekret do t’i dëmtonte seriozisht interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës; kurse publikimi i paautorizuar i informacioneve konfidenciale do të mund t’i dëmtonte interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës, si dhe publikimi i paautorizuar i informacioneve të kufizuara do të ishte e pafavorshme për interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Sa i përket autoriteteve përgjegjëse për klasifikim, kompetencën për klasifikim e ka vetëm institucioni publik i cili e ka prodhuar informacionin.

Ligji përcakton se kompetencën origjinale për klasifikimin e informacioneve të nivelit tepër sekret janë: Presidenti i Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kryeministri, Kryesuesi i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, si dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, me të drejtë që t’ia delegojnë kompetencën për klasifikim vartësve të tyre të drejtpërdrejt.

Kurse, kompetencën po ashtu origjinale të klasifikimit në nivelin sekret, konfidenciale dhe e kufizuar e kanë sekretarët e përhershëm (përgjithshëm), kryeshefat ekzekutivë apo drejtorët ekzekutivë të institucioneve publike dhe pozicionet e barasvlershme me ta, përveç nëse ata ia delegojnë këtë kompetencë zyrtarëve të lartë vartës.

Publikimi i raportit të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në SHBA, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Referuar dispozitave të ligjit të cekur më lartë, njëra nga fushat që informacionet duhet të klasifikohen është fusha e marrëdhënieve me jashtë dhe qeveritë e jashtme, kur këto informacione kanë të bëjnë me raporte të Republikës së Kosovës dhe njërit prej sponsorëve dhe mbështetësve kryesor të çlirimit dhe pavarësisë së vendit tonë, është aleati dhe parteri ynë strategjik (e natyrshëm se është fat për ne), është obligim i pashmangshëm, ngase, pa dashur me hy në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe dëmtimin eventual të marrëdhënieve në këtë fushë, ngase një gjë e tillë nuk më përket mua dhe fushës sime, megjithatë publikimet e tilla rezultojnë me shkelje ligjore, ngase jo vetëm që janë të paautorizuara, por mbi të gjitha dëmtohen interesat e sigurisë së vendit tonë, shkalla e dëmtimit të interesave të sigurisë së Kosovës, e cila është pastaj përcaktuese për caktimin e nivelin e klasifikimit, natyrisht se është çështje mbase për diskutim (të ekspertëve të fushës së sigurisë).

A u shkel ligji dhe nga kush?

Duke pasur kompetencë/përgjegjësi origjinale për klasifikim institucion përgjegjës (Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës), dhe duke mos e bërë një gjë të tillë, në radhë të parë dhe para së gjithash e bën përgjegjëse këtë institucion për mos klasifikim dhe rrjedhimisht edhe për publikim.

Autori është jurist me profesion dhe për më shumë se dhjetë vite ka punuar në fushën e hartimit të legjislacionit.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë