Komuna e Drenasit shënon 114 vjetorit e Kongresit të Manastirit me Akademi Solemne
Me rastin e 114-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në Sallën e Kulturës në Drenas, u mbajt një Akademi Solemne e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Drenasit.
Në këtë Akademi morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Enkela Dema, Prof.Dr Agim Vinca, Dr. Bashkim Musliu, drejtor të shkollave, mësimdhënës e nxënës, të ftuar të tjerë dhe qytetarë.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Enkela Dema, e cila ndër të tjera tha se përkujtimi i ngjarjeve më të rëndësishme e më të ndritshme kulturore të popullit tonë, është i domosdoshëm, sepse në këtë mënyrë ne drejtohemi kah njohja e vlerave dhe respektimi i tyre.
Ndërsa nënkryetari i Komunës, Arben Shala, u shpreh se shkronjat jo latine nuk ishin të përshtatshme për kultivimin e gjuhës shqipe dhe bashkimit gjuhësor kombëtar. Më tej shtoi se “jemi të lumtur dhe krenarë se me alfabetin e Manastirit janë botuar kryevepra me vlera kombëtare, por edhe ndërkombëtare”.
Rreth rëndësisë së Kongresit të Manastirit, Dr. Bashkim Musliu, ndër të tjera tha se fati ynë ishte që të vdesim jo vetëm për tokën tonë, por edhe për shkronjat tona. Kongresi i Manastirit ka rëndësi kulturore e arsimore, politike dhe kombëtare. Kongresi i Alfabetit ishte kundërvënie ndaj asimilimit dhe shkombëtarizimit dhe parapërgatitje për mbrojtje nga rreziku i copëzimit të trojeve shqiptare.
Akademia solemne vazhdoi tutje me një program artistik, me recital nga nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” si dhe nxënësit nga Shkolla e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” nga Drenasi.
Akademia Solemne u përmbyll me kumtesën me titull “Historiku i Kongresit të Manastirit“, profesor Dr. Agim Vinca, pasi i bëri një përmbledhje të rrugëtimit historik të shkrimeve shqipe, drejt një alfabeti të njësuar, tha se ky Kongres pati një rëndësi për mbarë kulturën kombëtarë shqiptare. Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve një alfabet latin dhe i drejtoi ata nga perëndimi, duke i larguar nga kthetrat e armiqve dhe fqinjëve lakmitarë. Gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar, tha ndër të tjera profesor Vinca.
Kongresi i Manastirit, i cili kishte për qëllim unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe mblodhi në mes datave 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe shqiptarët nga diaspora.
Kjo Akademi Solemne për nder të 114 vjetorit të Kongresit të Manastirit, të mbajtur tashmë tradicionalisht në Drenas, është organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e mbështetur nga ndërmarrja e “Ferronikelit”.