Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, ushtarë besnikë të Adem Demaçit dhe Adem Jasharit!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, me shokë

Filozofia e sakrifikimit për liri: Ismet Sopi është ish i burgosur politikë dhe veprimtar i palëkundur i çështjes kombëtare. Gjatë hetimeve ishte torturuar brutalisht nga udbashët serbë dhe ata që flisnin shqip. Pas luftës, udbashët që flisnin shqip u sistemuan si është më mirë bë institucionet e Kosovës gjatë mandatit të të gjitha qeverive kurse në qeverinë aktuale llogariten si vlerë e shtuar. Ismet Sopi mbeti i pasistemuar dhe pa përkujdesje të shoqërisë me një gjendje jo të mirë shëndetësore. Shëndetin e la në burgjet e Kosovës dhe llogoret e ish- Jugosllavisë si i burgosur politikë dhe si besnik, deri në fund i Frymëzuesit të shqiptarëve për pavarësi dhe bashkim kombëtar, Njeriut dhe Shqiptarit të Madh, Bacë Adem Demaçit. Si Ismet Sopi ka shumë ish të burgosur politikë shqiptar. Këtë hyrje të thjeshtë dhe simbolike e bëra për ta ndërlidhur shënimin e 24-vjetorit të rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, bashkë me bashkëluftëtarë, gjithashtu ushtarë të bindur, deri në flijim, të Komandantit Politikë të Shqiptarëve, të Papërsëritshmit, Bacë Adem Demaçit dhe Komandantit Ushtarak të UÇK-së, Legjendarit Adem Jashari. Para dhe gjatë luftës në Kosovë, Ismet Sopi ushte reporter i luftës dhe bashkëpunëtor i KMDLNj-së. Në çastet e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, me bashkëluftëtarë, Ismet Sopi, përmes telefonit më njoftoi për këtë duke më thënë të mos e bëjë menjëherë publik lajmin për të mos ndikuar në rënien e moralit të UÇK-së.
Menjëherë shkova te Baca Adem dhe i tregova se Zharava (ashtu e quante Baca), bashkë me Shoten, (Xheven) kanë rënë në altarin e lirisë.

Fort u mërzit Baca Adem dhe sytë iu mbushen me lotë. Kohë më parë kur Fehmi Lladrovci e mbante pikën në Bellaqefc, ishte vizituar nga Baca Adem i cili, duke e vlerësuar situatën drejtë e këshilloi Fehmiun që të tërhiqet shkaku se ishte e pamundur të mbrohej. Fehmiu ishte përgjigjur se nuk do të tërhiqej nga kjo pikë pa luftë aq më parë që të tjerët e kishin marrë atë pikë. I ndodhur në një situatë të përafërt te Shkëmbi i Gradines, Fehmi Lladrovci nuk pranojë të tërhiqet duke u martirizuar për Komb dhe Atdhe, bashkë me Xheven, Fatimen dhe martirët tjerë që nuk pranuan ta lënë Komandantin e tyre të vetëm. E dëshmuan se nuk kishin asnjë mëdyshje midis rënies me nderë dhe dorëzimit të pandershëm. Gjatë qëndrimit në llogoret e ish – Jugosllavisë, Fehmi Lladrovci ishte hije përcjellëse e përhershme e Dritës për Liri dhe Bashkim Kombëtar, Bacë Adem Demaçit si dhe bashkëluftëtar i Legjendarit Adem Jashari. Asnjëherë dhe edhe në rast kur nuk është pajtuar me Bacen, nuk ka treguar mungesë respekti apo bindjeje, përkundrazi. Me shokë në Lepogllavë dhe Stara Gradishkë ishte jashtëzakonisht i afërt, i dashur dhe i ndjeshëm. Ishin një gjeneratë shembullore e të burgosurve politikë shqiptarë në Kroaci: Baca Adem Demaçi, Dr. Haki Gashi, Dr. Hafir Shala, Nuhi Ahmeti, Avdullah Derguti, Basri Ibrahimi, Binak Dinaj, Idriz Hyseni, Tahir Hani, Zeqir Emini, Asllan Rashiti, Bejtullah Ademi, Zaim Beqiri, Ismet Sopi, Hysen Shurdhani, Pajazit Jashari, Naim Bujup Musteqja e Orllatit, Avdullah Rama, Rrahim Rama, Avdi Latifi, Zenel Baqaj, Riza Demaj, Bajram Bislimi, Fadil Bujupi, Fadil Dani, Besim Baraleci, Hilmi Muzaqi, Shpend Lushaj, Avdullah Rrustolli, Vehbiu nga Kumanova dhe Osmani nga Gjilani.
Edhe unë, Behxhet Sh. SHALA, isha në të dhe ndjehesha shumë krenar dhe i nderuar. Xhevë Lkadrovcin e njihnim në bazë të letrave që i dërgonte, përmes Fehmiut edhe të gjithë neve. Ishin letra jashtëzakonisht të përmbushura, me një bukurshkrim të përkryer, kurajoze dhe, thuaja të papërsëritshme. Fat i keq që nuk janë botuar.

Fehmiu edhe gjatë qëndrimit në kampet e përqendrimit i thoshte fjalët që i tha gazetarit të BBC-së gjatë luftës se: “do të ishte shumë i lumtur të vdesë për lirinë e Kosovës…..”. Pas daljes nga burgu, banesën e tij në Zagreb, në Sheshin “Bana Jellaçiq”, e shndëroi, bashkë me Xhevën, në një zyre politike dhe ushtarake për të gjithë patriotët shqiptarë e që me fillimin e luftës e formoi një Brigadë që luftoi në mbrojtje të Kroacisë deri në çastin kur pjesa politike e shqiptarëve që e kundërshtonin luftën në Kosovë, e shpërndanë këtë formacion ushtarak. Fehmi Lladrovci, bashkë me Xhevën kishin për qëllim që duke luftuar në Kroaci të pergatisnin luftëtarë për luftën në Kosovë e që e konsideronin si të pashmangshme. Në kohë sa ishte në Kosovë, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin e vizitonin më së shumti Baca Adem Demaçi, Ahmet Haxhiu, Nuhi Ahmeti, Avdullah Dërguti, Shashivar Makolli edhe unë. Po flasë për ne nga Prishtina kurse ata që ishin më afër sigurisht janë takuar më shpesh.

Fehmi dhe Xhevë Lladrovci u përjetësuan, jo me përmendoret në Drenas por me rënien e tyre heroike te Shkëmbi i Gradines. Ata e kryen detyren ndaj Kombit dhe Atdheut e që nuk mund të thuhet për ne, shokët e Fehmi dhe Xhevë Lladrovci. Ata shkuan me ndërgjegje të pastër sepse nuk e kishin për qëllim jetesën dhe mbijetesën personale por kishin qëllim fisnik dhe hyjnor, lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar. Po të ishin gjallë, jo që nuk do të dëshpëroheshin me këtë gjendje por do ta luftonin këtë gjendje, nëse edhe do t’iu kushtonte me jetë. Shqiponjat fluturojnë lartë sepse atje është liria, pulat e ndukura palohen duke pritur një kokërr mëshirë. Fehmi dhe Xhevë Lladrovci ishin SHQIPONJA! Për aq kohë sa do të ekzistojë bota, njerëzimi dhe shqiptaria. Nuk mund të jetë ndryshe me ushtarët besnikë, deri në flijim të Bacë Adem Demaçit dhe Legjendarit Adem Jashari.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë