Drenas/ Fushata “Mbroj të drejtën tënde”, synon promovimin e të drejtës për qasje në drejtësi

Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, me mbështetje të GIZ, kanë mbajtur fushatë Informuese për të drejtat e qytetarëve për qasje në drejtësi dhe ndihmë juridike falas me akterët komunal dhe palët kyçe të ndërlidhura që ofrojnë shërbime për qytetarët e Komunës së Drenasit dhe bashkëveprojnë me ZMNJF në Komunën e Drenasit.
Tryezën e hapi Anita Alaj Kalanderi – Drejtore Ekzekutive dhe pjesëmarrës ishte edhe nënkryetari i Komunës së Drenasit Arben Shala, zyrtarë policor nga stacioni i Drenasit, të cilët u zotuan se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ne drejtim të informimit të qytetarëve dhe referimit të tyre të ZMNJF në Drenas e cila gjendet në objektin e Qendrës për Punë Sociale në Drenas.
Qëllimi i përgjithshëm i fushatës informuese është promovimi i të drejtës për qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët, pa dallim dhe ka synim:
• Promovimi i qasjes në drejtësi dhe institucionin e ndihmës juridike falas në nivel lokal dhe qendror;
• Identifikimi i sfidave dhe mangësive të mundshme të qasjes në drejtësi për qytetarët, në Komunën e Drenasit;
• Identifikimi i mundësive të reja për bashkëpunim midis aktorëve me rëndësi (në nivel lokal dhe në nivel qendror), me qëllim të avancimit të mëtejmë të qasjes në drejtësi për qytetarët.