Lladrovci: Funksionalizimi i aeroportit në Drenas, do të ishte në dobi të të rinjve tanë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka qenë për vizitë në Belgjikë ku ka takuar mikun e tij, Musa Hoti i cili kontribun në aftësimin e të rinjve për pilotim.
Lladrovci ka folur rreth mundësisë së funksionalizimit të aeroportit në komunën e Drenasit duke shtuar se Hoti është i gatshëm të investojë në Kosovë për të hapur shkollën e pilotimit.
Statusi i plotë:
Ndërmarrësit tanë, janë të dëshmuar për sukseset në diasporë me përkushtimin dhe shpirtin ndërmarrës. Një sukses të veçantë e ka arritur miku im, Musa Hoti, i cili në Bruges (Bryzh) të Belgjikës është pjesë e ekipit për aftësimin e të rinjve për pilotim.
Vizita ime te Musa, me Istrefin dhe Haxhiun, ka të bëj me njohjen e kushteve në këtë shkollë, sepse janë mundësitë e mira për ta ngritur një sikur kjo në Bruges edhe në Drenas.
Funksionalizimi i aeroportit në Korroticë, do të ishte në dobi të të rinjve tanë, për të zotëruar këtë profesion, pilotimin.
Musa është gati të investojë në Kosovë për të hapur shkollën e pilotimit duke bashkëpunuar me shkollën në Bruges, që do të ishte mundësi e mirë e përparimit për të rinjtë tanë dhe vendin tonë.
Faleminderit Musë për mikpritjen.
Ne do të jemi në shërbim të atyre që duan të investojnë në vend, duke ofruar të gjitha lehtësirat e mundshme që ka në dispozicion pushteti lokal.
Fluturimi mbi qiellin e Kosovës do të ishte edhe më i bukur!