Heroi Asllan Fazliu nga Gradica- Tregim lufte

Shkruan: Haqif Mulliqi
Luftëtari në foton e parë është Asllan Fazliu nga Gradica. Të gjithë e quanin Luan ngase ishte një burrë sypatrembur. Unë me Asllanin, për herë të parë, jam takuar në odën e mikut tim të lavdishëm, Ilaz Kodrës në Prekaz, në mesmaj të vitit të luftës 1998. Dhe, që atëherë na ngeli një miqësi e madhe. Asllani ka rënë heroikisht në fundmars të vitit 1999, një ngjarje që më pikëlloi shumë.
Foton e Asllanit e kam bërë unë, diku në fund të shtatorit të vitit 1998, në Gllanasellë të Drenasit. Në të djathtë të kësaj fotografie shihet një varr. Por fotografia ime tregon se aty gjenden katër varre, ndërsa unë jam duke u përkulur para varrit të komandantit të lavdishëm të UÇK-së, Fehmi Lladrovci.
Krejt e veçanta e kësaj fotoje ku shihem unë është se është bërë tre, mbase katër ditë pasi që është varrosur komandant Fehmiu, me Xhevën dhe me shokë, ndërsa e ka realizuar vetë Asllan Fazliu heroi që, asaj dite, më fliste për heroin e kombit, Fehmi Lladrovci, trimërinë dhe rënien e tij pa e ditur, atëherë se edhe vet ai, pas pak muajsh do të shndërrohet në hero kombëtar duke e fituar përjetësinë me rënien dëshmor në Altarin e Lirisë.
P.s.
Atyre ditëve, ditë tëra në zona të luftës në Drenicë i kam kaluar me mikun tim, Prof. Emin Z. Emini, duke përjetuar ngjarje dhe histori të ndryshme.
Kohë që nuk harrohet