Ja çka thanë qytetarët e Drenasit pasi votuan sot

Qytetarët që po votonin në shkollën “Rasim Kiçina”, në Drenas u shprehën se procesi i votimit po shkon në rregull dhe se nga këto zgjedhje presin më shumë vende pune.

Shkëlqesa Hamza, pasi votoi në këtë qendër të votimit, tha se pret që t’i ofrohet mundësia të punësohet në këtë qytet dhe të mos e mendojë largimin nga Kosova.

“Çka po presim është përafërsisht 80 për qind e premtimeve që i kanë bërë kandidatët t’i përmbushin për neve qytetarëve. Presim punësim për të rinjtë për shkak që rinia të mos kërkojë të dalë jashtë vendit, por të na i krijojnë këtu mundësitë për të punuar në vendin tonë”, tha ajo.

Qytetari Arif Hasi, tha se pret që të fitojë ai që mendon për të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit.

“Procesi i votimit është shumë mirë, në rregull, presim që ai më i miri të fitojë dhe qytetarët të jenë të kënaqur për atë që e zgjedhin”, tha ai.

Edhe Sami Hysenaj, tha se gjithçka gjatë procesit të votimit ka shkruar me rregull.

“Procesi i votimit shkoi mirë, nuk kishte tollovi, organizimi ishte në rregull…presim që të vazhdohen proceset”, tha ai.

Në Komunën e Drenasit janë gjithsej 73 vendvotime. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet e sotme komunale në Kosovë janë 90.586 votues më shumë, krahasuar me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 14 shkurtit 2021.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë