“Demokratët për Drenasin” përmbyllin fushatën| Ajazi: Faleminderit të gjithëve, shihemi në ditën e fitores

“Demokratët për Drenasin” e kanë përmbyllur fushatën parazgjedhore. Kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit, Driton Ajazi para phesmarrësve në takim ka thënë se të dielën është “Dita D”.
“Është dita kur do t’i japim grusht të fortë diktatit e degradimit. Është Dita e Demokratëve dhe Demokracisë. Është Dita e Drenasit. Ju falënderoj pa masë të gjithëve dhe shihemi në festën e fitores të dielën mbrëma”, ka thënë Ajazi.
Fjalimi i Ajazit i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë,
Aktivistë të palodhshëm,
Bashkëpunëtorë që këtë muaj punuat ditë e natë,
Demokratë të paepur,
Bashkëvendës, që na i hapët dyert e zemrat këto ditë,
Mirë se po takohemi këtu në shesh, por edhe në shtëpi nëpërmjet ekranit, në tubimin përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e 17 tetorit, datë në të cilën do t’ia heqim lakun Drenasit.
Këtë javë kishte festë, kudo në takime në qytet e fshatra. Sepse qytetarët e kanë vuajtur gjatë momentin kur mund ta bëjnë ndryshimin. Dhe ai moment erdhi. Prandaj, kemi këtë entuziazëm e mobilizim për ta votuar numrin 182. Numrin e Demokratëve për Drenasin, që është e vetmja garancë për rikthimin e shpresës dhe perspektivës për qytetarin tonë, për komunën tonë.
Sot, unë jam krenar me gjithsecilin prej jush. Sepse, ju përfaqësoni më të mirën e Drenasit tonë.
Prandaj, ju shpreh falënderim e mirënjohje pafund për mbështetjen, mobilizimin dhe punën e pakursyer për ta bërë ndryshimin që do t’i jepni vulë të dielën.
E nisëm bashkë dhe jemi sot bashkë këtu për ta afirmuar madhështinë e asaj çfarë përfaqësojmë si Drenas. Si Drenicë. E kjo madhështi ka të bëjë me mosdorëzimin përballë tiranisë, përballë diktatit, përballë sundimit. Sepse, sundim ishte kjo qeverisje me grusht të fortë.
Kemi vuajtur në këto pesë vite.
Ndonëse jemi në shekullin 21, në më shumë se një mandat të qeverisjes së këtij pushteti ka qenë i cenuar dinjiteti i qytetarit. Ka qenë e cenuar liria për ta thënë e shkruar lirshëm atë që e mendon. Ka qenë e cenuar e drejta për t’u trajtuar i barabartë.
U instalua ambient frike. Ambient hakmarrjeje.
Kurrkush më shumë sesa ne nuk ka derdhur gjak e nuk është flijuar, pikërisht për t’i pasur këto liri e të drejta themelore që sot janë të cenuara.
Pushteti që do ta marrë ndëshkimin masiv, nuk pati ndjeshmëri për këtë sakrificë.
Ju e dini se sa u bë për veteranët e familjet e dëshmorëve. Kujt do t’i shkonte në mendje që, pas çlirimit, një grua dëshmori me dy fëmijë jetimë pushteti i Drenasit do ta nxirrte jashtë, nga banesa në pronësi të komunës.
Të dashur bashkëqytetarë,
Jemi këtu, që ta ringjallim shpresën për perspektivë e zhvillim.
Për secilin, pa dallim:
Për fëmijën e dëshmorit që mbeti pa strehë, e për invalidin e luftës pa mbështetje; Për nxënësin që ia mbylli shkollën e për pensionistin që nuk ka një hapësirë qëndrimi ditor në qytet; për afaristin që i është mbytur mundësia për ta zhvilluar biznesin dhe për bujkun që nuk e ndjen dorën e mbështetjes nga pushteti lokal; për të riun që nuk sheh mundësi punësimi, e për ata 2,000 të punësuarit që ua mbylli dyert fabrika, nga e cila marrin kontrata milionëshe fëmijët e kryetarit në ikje; për asistencën që i duhet të papunit, e për kulmin që i duhet të pastrehut; për sportistin që i shkatërrohet klubi kampion, e për artistin që s’ka ku ta shpreh talentin.
Pesë muaj stagnim janë shumë për një komunë të pazhvilluar. Por, ne patëm pesë vite degradim, me të cilin ky pushtet bëri atentat mbi komunën dhe qytetarët e saj.
Por, bashkë, i kemi dalë në betejë atentatorit.
Sepse, duam dhe do ta bëjmë Drenasin të zhvilluar. Të jetueshëm. Madje, atraktiv për të jetuar.
Sepse, Projekti ynë çliron të gjitha potencialet zhvillimore. E potencialet që i ka Drenasi, pak komuna i kanë.
Jemi këtu për t’i krijuar me urgjencë kushtet bazë:
Për t’i dhënë secilës shtëpi e familje qasje në ujë të pijes, qasje në rrjetin e ujërave të zeza, qasje në rrugë të asfaltuar e me trotuar dhe ndriçim publik, e për t’ia ofruar shërbimin për grumbullimin e mbeturinave.
Për t’i dhënë secilit fshat shërbime cilësore në arsim e shëndetësi, për t’i krijuar hapësira të gjelbra, terrene sportive e rekreacioni.
Jemi këtu për ta ngjallur qytetin: Për rrugët që i duhen e për parkingjet; për shtigjet e biçikletave dhe hapësirat e gjelbra; për shkollat e ambulantat; për zonat e biznesit e hapësirat për ndërtime të larta; për ambientet sportive e objektet kulturore.
Jemi këtu për ta bërë Drenasin komunë referente: për parqe; për liqene; për monumentet antike; për ngjarjet e mëdha kulturore e sportive.
Jemi këtu për ta transformuar komunën.
Para së gjithash, jemi këtu për t’ia rikthyer lirinë qytetarit dhe për t’i ofruar shanse të barabarta.
Jemi të vetëdijshëm që ardhja jonë po i tmerron hajdutët, keqpërdoruesit, të korruptuarit, uzurpatorët, profiterët. Hakmarrje nuk do të ketë, por llogaridhënie gjithsesi.
Unë do të jem shërbëtor e jo sundues. Milionat nuk më blejnë dot. Pasuria më e madhe imja janë familja e njerëzit me të cilët komunikoj. Me këtë pasuri modeste materiale që e kam, po me të do të dalë nga komuna. Prandaj, garantoj qeverisje me duar të pastra, e përkushtim për ta luftuar korrupsionin e nepotizmin e instaluar në komunë. Do ta bëj me profesionistët më të mirë, njerëz të ndershëm e të përkushtuar, që janë pjesë e ekipit tim.
Demokratët e përfaqësuar në Asamble do jenë pararojë e demokracisë e jo diktatit. Prandaj, qeverisja do të jetë e përbashkët me qytetarët – problemeve që do të na i prezantoni, do t’u japim zgjidhje e kritikat do të na shërbejnë për t’u bërë sa më të përgjegjshëm e më të mirë në punë.
Të dashur bashkëqytetarë,
Në orët që kanë mbetur na duhet mobilizim i jashtëzakonshëm që fitoren ta bëjmë sa më bindëse e madhështore. Vetëm një fitore e tillë na krijon hapësirë për ta jetësuar ëndrrën tonë për transformimin e Drenasit.
Prandaj, folni me bashkëshortë, me fëmijë, me motra e vëllezër, me prindër e gjyshër, me njerëz të lagjes e të afërm që më 17 tetor të dalin e të votojnë numrin 182. Vetëm ky numër ofron garancë për ndryshim e zhvillim dhe krijon perspektivë për secilin.
Të dielën është “Dita D”.
Është dita kur do t’i japim grusht të fortë diktatit e degradimit.
Është Dita e Demokratëve dhe Demokracisë. Është Dita e Drenasit.
Ju falënderoj pa masë të gjithëve dhe shihemi në festën e fitores të dielën mbrëma.
Urime e na priftë e mbara!
#Voto182
#KjoËshtëKohaJonë!
#DemokratëtPërDrenasin
#DritoniPërDrenasin