Lladrovci i përgjigjet Drenorit për billbordët: As shpifjet as deklarimet e rreme nuk e ndalin fitoren tonë

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci përmes një shkrimi në ‘Facebook’ i është përgjigjur Xhavit Drenorit për hapësirat e billordeve, demokracisë dhe padisë për shpifje ndaj këtij të fundit.
Lladrovci për billbordet ka shkruar se nuk ia ka ndaluar askujt dhe se nuk është përgjegjsi e tij që z.Drenori e të tjerë kandidatë nuk i kanë rezervuar.
Ai ka shkruar se në komunën e Drenasit, keqbërësit nuk kanë demokraci dhe nuk do të ndjehen mirë për sa do ta udhëheq komunën.
“Fitorja e PDK-së dhe imja në Drenas është e padiskutueshme, andaj, as shpifjet as deklarimet e rreme, të askujt, nuk mund ta ndalin”, ka shkruar z.Lladrovci.
Shkrimi i tij i plotë në ‘Facebook’:
Drenasi është komunë shembull për demokraci
Demagogjia e Xhavit Drenorit, ka marrë ndëshkimin qytetar në dy palë zgjedhje, ashtu do të marrë sërish goditje.
Për fillim, e para, kundërshtoj rreptë akuzën e paqëndrueshme rreth billbordeve. Ashtu siç e kam rezervuar me kohë dhe kam paguar, për hapësirën në billborde, ashtu ka mundur ta bëj edhe z. Drenori dhe secili kandidat tjetër.
Kompania që merret me hapësirat e billbordeve, nga udhëkryqi i Komoranit dhe deri në brendi të qytetit të Drenasit, është private dhe nuk kam asnjë ndikim.
Prandaj, është dështim i plotë adresimi i kësaj çështjeje tek unë. Kjo është përgjegjësi e secilit kandidat për të rezervuar hapësirat reklamuese dhe huazimit të hapësirave në billborde.
Si çdo kandidat, kam paguar vet për billbordin, pranë kompanisë private. As unë, e askush nuk mund të krijojë as kufizojë hapësirën e askujt, kjo shprehje demokratike nuk ngulfatet as që mund të ngulfatet.
Billborde pa pagesë nuk ofron askush, as nuk mund të rezervoj hapësira për asnjë kandidat sepse , nuk është përgjegjësi imja.
1. Shih kopjen e pagësës për billbord
Çështja e dytë, është çështja e frymës së demokracisë në komunën tonë.
Demokracia dhe qeverisja demokratike, qeverisja transparente dhe e mirë, është e konfirmuar me vlerësime nga MAPL, tri ambasadat dhe OJQ që merren me performancën e komunave.
Në komunën e Drenasit, keqbërësit nuk kanë demokraci, keqbërësit nuk do të ndjehen mirë për sa do ta udhëheq unë komunën.
2. Shih vendimin e MAPL dhe vlerësimin për komponentin “Qeverisje demokratike!
Çështja e tretë, është çështje e lidhur me dënimin që gjykata ia ka shqiptuar Drenorit për shpifje, dhe nuk ka asnjë lidhje tjetër, dhe çdo spekulim lidhur me këtë, është i qëllimshëm, dhe traditë e njohur e Drenorit për manipulim të fakteve.
3. Shih arsyet e vendimit të dënimit të Xhavit Drenorit nga Gjykata.
Shpifja e radhës, e katërta me radhë, është e lidhur me “Listën e Zezë”, çështje e cila është trajtuar shumë herë, dhe dihet përse kam qenë aty, përse jam i përfshirë.
Në asnjë rast, as rrethanë, nuk kam qenë as jam, as do të jem në kundërshtim me interesat e ShBA-së. Prania ime në atë listë, është “kontribut” i keqbërësve denoncues, të cilët nuk i kanë njohur, as njohin raportet e mia të shkëlqyera, si kontribuues i paqes në Maqedoninë e Veriut. Shpifjet e tilla të z. Drenori, i njeh opinioni dhe kanë për qëllim mjegullimin e situatës në fushatën zgjedhore.
Fitorja e PDK-së dhe imja në Drenas është e padiskutueshme, andaj, as shpifjet as deklarimet e rreme, të askujt, nuk mund ta ndalin.
Ramiz Lladrovci
1.10.2021