Shyqyri Bytyqi: Lladrovci edhe një mandat!

Ish ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka thënë se për sa kohë që Ramiz Lladrovci do ketë syrin edhe veshin brenda objektivit drenicas, ai do mbetet i besuari i qytetarit.

“Qytetari drenicar është i vetëdijshëm se të gjitha gjërat nuk bëhen njëherësh sepse shteti ynë këtë kaçik e ka, por ajo që nuk do t’i falej z. Lladrovci apo kujtdo është mospasja e veshit për të dëgjuar prioritetet që e mundshmja sado me përpjekje i realizon”, ka thënë ish ministri Bytyqi.

Statusi i tij i plotë:

Kush po fiton në Drenas, pragmatizmi i Lladrovcit, aftësia drejtuese, e kaluara e tij, apo të tria bashkë po e bëjnë sigurinë e qytetarit ta besoj edhe një mandat atë!

Pushteti lokal është hallka më e çuditshme e gjithë pushteteve. Ajo është aq afër syrit të qytetarëve dhe aq i prekshëm nga ta sa nuk fsheh dot asgjë. Edhe kur heshtë qytetari edhe kur reagon po aq sa edhe kur të beson, ai shprehë besnikërisht gjendjen e komunitetit.
Zgjedhjet lokale në pasluftë gjithmonë kanë qenë të veçanta në Drenas edhe përkundër faktit se këtu ylberi ka pasur vetëm një ngjyrë sado me nuancime që janë shfaqur hera herës skajeve të tërësisë.

E sotmja e Drenasit ngërthen në vete një pyetje sa reale po aq hipotetike. A ka parti në Drenas! Po ta shohim nga shpërfaqja Drenasi është një familje e të të menduarit të njëllojtë, sado që hera herës apo për tema të caktuara vijnë e shkojnë shumë përngjasime me komunat tjera.

Këtu tashmë kur gjërat akoma mbajnë fitoren privilegj përkatësie, na duhet të themi se me kryetarin Lladrovci gjërat disi janë ndryshe edhe pse brenda llojit. Ai po rikonfirmohet në drejtim edhe për karizmin e tij që e ndihmoj të lexohej me pragmatizmin prej të pari të shtëpisë në përgjegjësi dhe detyra.

Opinionit të jashtëm nga sa shohim ne brenda Drenasit i është imponuar akti i kujdesit të tij prej shtëpiaku me kazmën mbi asfaltin e jo standardeve, por për ne të brendshmit ka shumë më shumë në sfondin e Lladrovcit drejtues.

Mandati i ri në bindjen time po bjen si një pritshmëri se standardet po rriten në Komunën tonë, dhe ky besim do hapje dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Kjo nuk i ka munguar z. Lladrovci dhe qytetari pret dëgjueshmëri institucionale për prioritetet e tij. Në këtë komunikim z Lladrovci është treguar i vëmendshëm dhe ndoshta këtu edhe është e gjithë karizma që po mbivendos fatin e pakonkurrueshmërisë.

Qytetari drenicar është i vetëdijshëm se të gjitha gjërat nuk bëhen njëherësh sepse shteti ynë këtë kaçik e ka, por ajo që nuk do t’i falej z. Lladrovci apo kujtdo është mospasja e veshit për të dëgjuar prioritetet që e mundshmja sado me përpjekje i realizon. Për sa kohë që z. Lladrovci do ketë syrin edhe veshin brenda objektivit drenicas, ai do mbetet i besuari i qytetarit.

Këtë mandat në ardhje kjo po përbënë fatin e zgjedhjeve të njohur që në krye të herës dhe neve na mbetet vetëm të mendojmë se si ta sfidojmë kryetarin në rikonfirmim me projektet që akoma i mungojnë Drenasit.

Dhe pyetjes se a ka Parti në Drenas na mbetet t’i përgjigjemi: Po ka. Të gjithë jemi drenicas dhe e duam njëjtë Drenasin!

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë