Drenori e Halilaj zbardhin programin e GpD-së për zgjedhjet lokale

“GREEN për Drenas” ka prezentuar pikat programore për zgjedhjet lokale 2021, shkruan DrenicaOnline.
Kandidati për kryetar Xhavit Drenori, bartësi i listës së kandidatëve për asamble Arber Halilaj dhe ekipi i GpD-së kanë treguar projektet që duhet të realizohen në secilin sektor.
Njofimi për media i GpD-së:
PREZENTIM I PIKAVE PROGRAMORE
Zgjedhjet Lokale 2021
“GREEN për Drenas” e konsideron mjedisin, forcimin e ekonomisë qarkore dhe sferave të tjera shoqërore që krijojnë vende pune, si një parakusht kryesor për rritjen, zhvillimin dhe prosperitetin e Drenasit. Për ta arritur këtë, është e nevojshme ta bëjmë Drenasin më të pastër nga ndotja, tërheqës për jetë, zhvillim biznesi dhe krijimin e vendeve të punës për investitorët aktualë, por edhe ata në të ardhmën.
Përmes projekteve të nevojshme, do ta ndalim degradimin dhe krahas sanimit të gjendjes aktuale mjedisore, do të punojmë fort në implementimin e projekteve, për të cilat do të na ketë zili çdo komunë.
Nga aspekti organizativ, së pari do të themelojmë Drejtorinë Komunale për Çështje Mjedisore, me njerëz profesionist, që do të jenë garancë dhe motor i realizimit të politikave mjedisore dhe projektit tonë “GREEN për Drenas”.
Do të themelohet Kompania Publike Lokale, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe kryerjes së më shumë shërbimeve komunale: menaxhimin e grumbullimit efikas dhe me kohë të mbeturinave, sanimin dhe rregullimin e deponive jashtë vendbanimeve, mirëmbajtjen e shesheve, parqeve dhe hapësirave tjera gjelbëruese publike, pastërtinë e rrugëve dhe trotoareve, ujitjen e drunjëve urban dhe luleve, shërbime tjera publike mjedisore etj. Poashtu, do të aplikohet ndarja e mbeturinave në bazë dhe reciklimi i tyre, me mundësi të shtimit të numrit të punëtorëve dhe përfitimit ekonomik të kompanisë.
Projektet tjera që me krenari po i prezentojmë para qytetarit, në një format të shkurtër, të nxjerra nga Programi ynë, janë:
Projekti i I-rë dhe më i rëndësishëm është “Zona e Gjelbërt” përreth kompleksit të Feronikelit, ose i ashtuquajturi “Filteri i Gjelbërt” për minimizimin e ndotjes nga fabrika, ku përfshihet pyllëzimi me mijëra drunjë industrial Paulownia dhe ndërtimi i dy mini-liqenjve artificial.
Zona Industriale për të gjitha bizneset me makineri të rëndë (shitje e zhavorit, shitje e materialeve ndërtimore, transportues etj.), brenda këtij filteri të gjelbërt, me qëllim që të mos ketë mjete të rënda nëpër qytet, bashkë me zhurmën, pluhurin dhe dëmtimet që ia bëjnë rrugëve. Këtë na e mundëson edhe rruga tranzitore Parku i biznesit-Poklek-Brigada e Zjarrfiksëve tek kyçja në rrugën për Skënderaj, e cila rrugë do të jetë prioritet për t’u përfunduar për kohë të shkurtër.
Projekti i II-të mjedisor është Brezi i Gjelbërt Urban, me gjatësi rreth 8 kilometra, që e rrethon qytetin e Drenasit me gjelbërim, ku përgjatë tij do të ketë shteg për ecje, trim-staza, shteg të posaçëm për biçikleta dhe shumë kënde lojërash, parqe e përmbajtje rekreacionale, siç janë fushat e vogla sintetike!
Projekti i III-të gjithashtu me ndikim të madh edhe në zhvillimin ekonomik përmes turizmit është Parku i Liqenit të Vasilevës.
Aty do të rregullohen tri rrugë hyrëse, të cilat afër parkut ndërpriten me vendparkingje adekuate. Dy shtigje paralele përgjatë bregut të liqenit (këmbesorë dhe biçiklista), kajak për lundrim në liqe dhe vende të posaçme për grupe kampingu dhe peshkatari.
Gjatë dimrit do të shfrytëzohen dy pista skijimi, që do të hapen në dy anët e kundërta të liqenit, lindje dhe perëndim. Pra, një park rekreacional që shfrytëzohet në të katër stinët e vitit.
Profitet ekonomike gjenerohen nga bujtinat, restaurantet me ushqime tradicionale lokale, fshatarët do të kenë ku të shesin produktet e veta bujqësore, parkingjet, biçikletat, kajakët dhe pajisjet e skijimit me qëra, kështu që do të krijohet një vendpiknik i shkëlqyer jo vetëm për qytetarët e Drenasit, meqë është afër edhe nga kryeqyteti.
Projekti i IV-të, në mungesë të vendeve rekreative dhe për të mos udhëtuar në komunat tjera për të kaluar një ditë pikniku, vendi më i përshtatshëm në Drenas është zona e njohur si “Pishat” në fshatin Gllobar. Ky vendpiknik me potencial të madh ndodhet 5.4 km nga qendra e qytetit, ka një hapësirë prej 60 hektarësh dhe çasje në rrugë të asfaltuar.
Brenda zonës ka nevojë për investime në infrastrukturë, mirëmbajtje dhe në promovim të kësaj pjese. Hapi i parë është pastrimi i mbeturinave, pastaj edhe vendosja e shenjave informuese, ndalimi i ndezjes së zjarrit, vendosja e barbeque publike, ulëseve për pushim me tavolinat, shënimi i shtigjeve për ecje dhe çiklizëm, vendosja e shportave të mbeturinave, parkingjet etj.
Me këto pak investime, Pishat e Gllobarit do të kthehen në vendpiknik atraktiv për Drenasin e rrethinën e tij .
Këto dhe projektet e planet tjera nga sfera të ndryshme, si: ekonomia, bujqësia, shëndetësia, arsimi, kultura, rinia, sporti, urbanizmi qeverisja lokale etj. që secila janë të përfshira në draft-programin tonë, do t’ju prezentohen pjesë-pjesë në ditët e ardhshme. Përmes komenteve dhe sygjerimeve tuaja, ju mund ta plotësoni programin dhe kësisoji të jeni pjesë e hartimit dhe zbatimit të tij, në dobi të të gjithëve!
“GREEN për Drenas” ….ne i mbrojmë vlerat !
#greenperdrenas
#xhavitdrenori
#nr1