Lladrovci: Lista e PDK-së për Asamblenë komunale, fituese e sigurt e zgjedhjeve komunale!

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se lista e PDK-së për Drenas, e publikuar dje, siguron gjithëpërfshirjen e kapaciteteve të strukturave politike, profesionale dhe gjeografike që disponon komuna jonë. Lista e asamblistëve dhe bartësi i kësaj liste, z. Labinot Halilaj, siguron funksionim unik për projekte me interes të qytetarëve pa dallim.

Sipas Lladrovcit i cili është kandidat i PDK-së edhe për një mandat, kjo listë e degës së PDK-së në Drenas, siguron fitoren e PDK-së në të gjitha aspektet, andaj, edhe konsideroj se është listë që i plotëson kriteret e dëshiruara nga qytetarët, fitoren e asamblistëve të propozuar, me shumicën dërmuese.

Asambleja aktuale ishte dhe mbetet shembull i funksionimit për projektet dedikuar qytetarëve, të cilat të gjitha ligjet dhe vendimet me rëndësi për qytetarët u miratuan me shumicë të votave të Asamblesë, pa dallim partie.

Fushata që na pret, sipas Lladrovcit do të shpërfaq defektet e secilit kandidat që ka menduar të fshehët në lista me demagogji dhe pazare të kombinuara me vepra të paligjshme.

“Qytetari i njeh të gjithë ata që kanë aplikuar për asamble. Politika nuk fillon me tash, me çfarëdo liste, sepse biografia politike e secilit që përpiqet për pushtet, nuk fillon nga fjalët e tij, dëshirat apo pozat politike. Veprat janë ato që i besojnë qytetarët”, ka deklaruar Lladrovci.

Fjalët e bukura të fushatës zgjedhore që na presin, sipas tij nuk do ta shpërlajnë as rehabilitojnë asnjë keqbërës nga veprat e veta joligjore, as do të kursehen bedelët e parapaguar për opozitarizëm me qëllim të përmbushjes së agjendave klienteliste të dëmshme për qytetarët e komunës së Drenasit.

“Qytetari ka mbamendje, ka kujtesë dhe e di, kush punon e kush flet, kush e ka ndershmërinë e kush pabesinë, kush punon mirë e kush gënjen në çdo fjalë, kush vjedh e kush e ruan pronën dhe të mirat publike, andaj, na pret një betejë e re e cila do ta rikonfirmojë fitoren e vullnetit qytetar për punë të mira, të ligjshme dhe të dobishme për të gjithë”, tha ai.

“Drenasi e meriton më të mirën. E kemi dëshmuar se jemi komuna me menaxhimin më të mirë në Kosovë, këtu ka kontribut të madh qytetari që bashkëpunoi, si dhe Asambleja e cila ka përkrahur punën time të mirë me administratë. Andaj, sërish, do ta bëjmë Drenasin kampion në nivel nacional, me votën qytetare, së bashku me Listën e PDK-së për Asamblenë e Drenasit!”

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë