Zbulohet lapidari i dëshmorit Ilir Lushtaku në përvjetorin e tij të rënies

Me rastine 22 vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve, Ilir Lushtaku e Sadik Haziraj, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i shoqeruar nga Nënkryetari Nuredin Lushtaku, bashkë me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve e qytetarë bënë homazhe tek varret e tyre në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.
Në nderim të jetës dhe veprës heroike të dëshmorit Ilir Lushtaku, Kryetari Jashari e Nënkryetarin Lushtaku moren pjesë edhe në zbulimin e lapidarit të tij në Prekaz të Poshtëm, atje ku 22 vite me parë, në mbrojtje të vendit ra për të mos vdekur kurrë, njëri prej të rinjve të parë që iu bashkuan Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilir Lushtaku.
Bashkë me Klubin Futbollistik “Drenica” dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, edhe sot si viteve tjera nga komuna jonë është organizuar turneu në futboll, në nderim të heroit tonë Ilir Lushtaku, kupën e të cilit e fitoi klubi i veteranëve “Drenica”.
Me këtë rast para të pranishmëve, veteranëve të futbollit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Kosova, Jashari vlerësoi lartë kontributin e dëshmorit Lushtaku në çlirimin e vendit.
“Secili progres, secila vepër e mirë që ndodhë sot në Kosovë, themelet e saj i ka në gjakun e dëshmorëve, në gjakun e dëshmorit Ilir Lushtaku dhe të gjithë të rënëve për liri. Organizimi i aktiviteteve të tilla në kujtim e nderim të dëshmorëve tonë është së pari nder për historinë tonë të lavdishme dhe më e pakta që mund dhe duhet të bëjmë për heronjtë tone”, tha Jashari.
Lavdi e përjetshme për dëshmorët dhe martirët e Lirisë!