Lladrovci jep bursa për nxënësit që morën certifikata nga Parlamenti Evropian

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart bartësit e përgjegjësive arsimore në komunë, si dhe nxënësit pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga Parlamenti Evropian, Euroscola, me temën “Edukimi dhe punësimi i të rinjve: Çfarë na duhet për të ardhmen tonë?” Në mesin e 94 shkollave të Bashkimit Evropian, mori pjesë edhe shkolla “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Drenasi, duke përfaqësuar Kosovën si shtet.
Kryetari Lladrovci ka dhënë një zotim për nxënësit pjesëmarrës duke potencuar: Ju do të përfitoni bursë këtë vit për pjesëmarrje dhe përfaqësim të shkëlqyer në Parlamentin Evropian. Siç jam zotuar, së bashku me miqtë nga Gjermania, Finlanda, Austria, Italia, do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht, që nxënësit tanë të jenë krahë bashkëmoshatarëve të tyre në BE.
Ja postimi i plotë i z. Lladrovci:
Sot, nga Parlamenti Evropian, arritën certifikatat për nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të cilët ishin pjesëmarrës në konferencën e organizuar nga Euroscola, bashkë me 94 shkolla tjera të Bashkimit Evropian.
Me kënaqësi, në Kuvendin komunal ua dorëzova certifikatat nxënësve pjesëmarrës në këtë konferencë ndërkombëtare, si dhe flamurin e Bashkimit Evropian.
Në takim me nxënësit, theksova si vijon:
Jam jashtëzakonisht krenar me punën tuaj dhe pjesëmarrjen si shkolla e vetme jashtë BE-së që ka arritur të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Euroscola, bashkë me 94 shkolla tjera të Bashkimit Evropian, me temën “Edukimi dhe punësimi i të rinjve: Çfarë na duhet për të ardhmen tonë?”.
Jam shumë krenar që ju ishit jo vetëm pjesë e 94 shkollave dhe mbi 3 mijë nxënësve, por keni qenë edhe në mesin e të përzgjedhurve. Suksesi juaj në përfaqësimin e Drenasit dhe Kosovës në Parlamentin Evropian na ka bërë krenarë neve si komunë, mësimdhënësit, drejtorin, shkollën dhe familjet e juaja.
Prioriteti im që nga marrja e mandatit ka qenë arsimi, në mënyrë që Drenasi, ju nxënës të dashur të krahasoheni me nxënësit e vendeve të BE-së dhe që arsimi të jetë në hap me arsimin e vendeve të BE-së.
Këtë tashmë e keni arritur me përkushtimin tuaj, drejtorit të gjimnazit, Mentor Sahiti dhe DKA-së, drejtorit Muhamet Gjoka, duke dhënë mesazh që arsimi është prioritet ynë i përbashkët. Ju them edhe njëherë se më keni bërë krenar shumë dhe ju garantoj që mbështetja nuk do të ju mungojë asnjëherë.
Sot, para jush këtu, zotohem se ju do të përfitoni bursë këtë vit për pjesëmarrje dhe përfaqësim të shkëlqyer në Parlamentin Evropian. Siç jam zotuar, së bashku me miqtë nga Gjermania, Finlanda, Austria, Italia, do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht, që nxënësit tanë të jenë krahë bashkëmoshatarëve të tyre në BE. Kjo do të realizohet në shtator të vitit 2021, ku Drenasi organizon konferencë ndërkombëtare me nxënës, mësimdhënës, drejtues institucionesh arsimore nga Gjermania, Finlanda, Austria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Faleminderit!