“Ju flet Kosova e lirë”, zëri që doli nga bunkeri, Nusret Pllana tregon si përgatiteshin lajmet

Të hënën janë bërë 22 vjet që nga themelimi i radios “Kosova e Lirë”.

Po ecin në shtegun e Maleve të Berishës, të cilin shpeshherë e kaluan edhe para dy dekadash.

E caku i kësaj ngjitje është pika e njohur, si Maja e Pllanikut.

Këtu në vitin 1999, për një javë rresht u punua që të ndërtohej ky bunker, zëri i të cilit, do të dëgjohej në gjithë botën.

Të lodhur nga raportimi në lëvizje, ekipi i Radios “Kosova e Lirë” së bashku me shtabin e UÇK-së, zgjodhën ta vendosin një radio të tërë brenda një bunkeri.

Misioni i tyre, ishte që përmes valëve të kësaj radioje të informon, për krimet që Serbia po kryente në Kosovë.

Gjithë kjo po bëhej, përmes zërit të Nusret Pllanës, jehona e të cilit kapte veshin e çdo shqiptari.

Në përvjetorin e 22 të kësaj radioje, Pllana ka treguar për T7, se si arrinin t’i mblidhnin informacionet në kohë lufte.

Pllana ka zbuluar se kishte shumë momente, kur transmetimi i lajmit tek publiku nuk ishte fare i lehtë.

Por, pavarësisht të gjithave, kosovarët nuk do ta harrojnë asnjëherë fillimin e edicionit të lajmeve të luftës, përmes radiostacionit të vetëm informativ të UCK-së.

Këtë moment, pas dy dekadave, Pllana pranoi ta ndajë përsëri me T7.

Njeriu që dha lajmet e luftës, e ka shumë të vështirë ta shoh bunkerin e radios në këtë gjendje, ku të hysh në të, tashmë është e pamundur.

Ky bunker tashmë është rrënuar nga moskujdesi, ani pse një gjë të tillë, nuk arritën ta bënin as serbët, të cilët e bombarduan disa herë këtë hapësirë.

Ndërkohë që gjithçka të funksiononte si duhej në këto kushte, u kujdes Riza Berisha.

Edhe pas dy dekadave, Berisha ende vazhdon t’i ruaj pajisjet që u përdoren në kohë luftë, në muzeun e kësaj radioje në fshatin Berishë.

Ndërkohë, lajmet e luftës para se të transmetoheshin tek publiku, përgatiteshin pikërisht në shtëpinë e Riza Berishës në këtë fshat.

Pllana e Berisha, nuk harrojnë për asnjë moment ta përmendin secilin pjesëtar të kësaj radioje në atë kohë, me theks të veçantë Ahmet Qeriqin dhe Martin Çunin.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë