36-vjeçarja nga Drenica që punon si taksiste në Prishtinë

Jemi mësuar që profesioni i shoferit të jetë i dedikuar kryesisht për meshkuj.

Madje vajza e gra vozitëse të veturave në periudhën e paraluftës në Kosovë janë parë rrallë. Kjo tabu është thyer tashmë në vendin tonë.

Tash femrat që kanë profesion vozitjen e mjeteve të transportit po shihen më shpesh në timon, sidomos të taksive ose autobusëve urbanë dhe jo vetëm të veturave personale.

Vlora Aliu nga Skenderaj është ndër femrat e rralla në vend që ushtron këtë profesion dhe punon si shofere taksie në Prishtinë.

Ndonëse ende mund të jetë e çuditshme që një femër të jetë taksiste, një gjë e tillë nuk përbën aspak problem për Vlorën.

Ajo e pëlqen shumë vozitjen. E kjo është arsyeja që e shtyri të merret me këtë punë.

Për Vlorën nuk ka qenë i vështirë fillimi. Sipas saj, nuk ka pasur paragjykime dhe madje është pritur mjaft mirë nga pasagjerët.

“Fillimi ka qenë shumë i mirë. Paragjykime nuk kam pasur. Përkundrazi, janë sjellë shumë mirë me mua dhe kam pasur shumë lëvdata që në fillim. Pasagjerët ndihen shumë të lumtur me mua”, është shprehur ajo.

Madje ajo thotë se pasagjerët tashmë janë bërë si familje për të.

“Me të thënë të drejtën, me 90% të pasagjerëve jemi bërë si familje. Çdo ditë të njëjtë. Kam kërkesa shumë nga ta dhe me aq sa kam mundësi mundohem t’i arrij”, thotë ajo.

Vlora tregon se edhe nga kolegët e punës është pritur mirë, ani pse bën të ditur se në fillim e kishin xhelozuar.

“Kolegët e punës janë shumë staf i mirë. Kemi raporte shumë të mira mes vete. Në fillim kanë xhelozuar pak, se tash kjo femër e na e merr punën”, bën të ditur Vlora.

36-vjeçarja nga Skenderaj tregon për “Zërin” se në kompaninë ku ajo punon nuk është e vetmja femër.

Sipas saj, aty punojnë edhe tri femra të tjera. Ajo theksoi se mes vete nuk kanë asnjëherë probleme dhe kalojeë shumë mirë.

Vlora thotë se është e kënaqur me këtë profesion e nuk ka ndonjë ankesë nga pasagjerët.

“Me punë jam shumë mirë. Jam e kënaqur dhe nuk kam ndonjë ankesë”, tha shkurt ajo.

Taksistja e parë femër që filloi të ushtronte këtë profesion në Kosovë ishte nga komuna e Gjilanit, eë vitin 2016. Që nga atëherë kësaj zeje i janë bashkuar femra edhe nga komuna e Prishtinës dhe Mitrovicës.

22 Marsi njihet si Dita Botërore e Taksistëve.

Ky profesion vazhdon të mbetet sfidues për gratë në shumë vende të botës. Ndonëse profesion i rrallë, në Kosovë veçse ka filluar të jetë e zakonshme një gjë e tillë.

Shpërndaje këtë lajm në:

Më shumë